Euro e ka nisur me rimëkëmbje në kursin e këmbimit me lekun.

Rritja e euros në pikat e këmbimit valutor u theksua veçanërisht në gjysmën e dytë të të premtes, ndërsa ka vijuar më e lehtë edhe këtë të hënë.

Në gjysmën e parë të muajit maj, euro shënoi një rënie të mëtejshme ndaj lekut, duke arritur vlerat më të ulëta historike.

Në datën 11 maj, kursi i këmbimit euro-lek arriti nivelin prej 110.63 lekësh, më i ulëti i regjistruar ndonjëherë. Sipas agjentëve të këmbimit valutor, rënia i detyrohej prurjeve të mëdha të valutës në treg. Rritja e ofertës së euros mund të shpjegohet pjesërisht me theksimin e faktorit sezonal dhe rritjen e turizmit hyrës, por edhe me zgjedhjet lokale.

Sipas ekspertëve, periudhat parazgjedhore shoqërohen me rritje të flukseve valutore dhe e njëjta gjë duket se ka ndodhur edhe këtë vit, duke e çuar kursin e euros drejt rekordeve të reja në rënie.

Në ditët e fundit, megjithatë, kjo rënie është korrigjuar disi dhe kjo koincidon me përfundimin e fushatës zgjedhore. Sipas agjentëve të këmbimit, në gjysmën e dytë të javës së kaluar u vërejt një rritje e kërkesës për euro në treg.