Evazion i madh në ndërtim dhe imobiliare, Tatimet “zbarkojnë” në Durrës e Lezhë


Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi se aksioni i kontrollit ndaj agjencive imobiliare dhe subjekteve të ndërtimit është përqendruar së fundmi në qarqet Durrës dhe Lezhë.

Sipas DPT-së, kontrollet janë kryer në kuadër të planit operacional për sektorin e ndërtimit dhe kanë evidentuar shkelje të rënda të legjislacionit tatimor, përfshirë praktika të qëllimshme për shmangien e detyrimeve fiskale, si dhe parregullsi në deklarimin dhe dokumentimin e aktivitetit ekonomik.

Gjatë verifikimeve në agjencitë imobiliare dhe ndërtuese në Durrës dhe Lezhë janë konstatuar raste të përdorimit të dokumentacionit jotatimor, si dhe mospërputhje të theksuara mes të dhënave financiare të deklaruara dhe aktivitetit real të subjekteve.

DPT bën me dije se, njësoj si në Tiranë, Vlorë dhe Sarandë, edhe në këto dy qarqe janë identifikuar raste të evazionit fiskal në vlera të larta monetare. Sipas Tatimeve, subjektet kanë shitur apartamente dhe pasuri të tjera me çmime shumë më të larta se ato të deklaruara në kontratat noteriale dhe të raportuara pranë Administratës Tatimore, me qëllim uljen e detyrimeve fiskale.

Hetimet po vijojnë me analizimin e deklarimeve të subjekteve dhe të dhënave të siguruara nga njësitë kompjuterike të sekuestruara, ku rezulton se janë kryer shitje dhe pagesa në cash, si dhe praktika të tjera në kundërshtim me ligjin.

Në përfundim të hetimit, Drejtoria e Hetimit Tatimor do të referojë pranë prokurorive përkatëse materialet për çdo rast ku konstatohet prania e elementëve të veprës penale të evazionit fiskal.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thekson se kontrollet do të vijojnë dhe do të shtrihen në të gjithë territorin e vendit, në funksion të formalizimit të ekonomisë, pagave dhe rritjes së pensioneve.



Burimi Monitor.al