Evropa do të bllokojë menaxhimin e të dhënave qeveritare nga Google, Microsoft dhe Amazon


Evropa po përgatitet për një përplasje të re me gjigantët amerikanë të teknologjisë, këtë herë në zemër të ekonomisë digjitale: cloud computing dhe menaxhimi i të dhënave sensitive. Sipas burimeve të cituara nga CNBC, Komisioni Evropian është gati të prezantojë brenda këtij muaji një paketë të re rregullatore të quajtur Tech Sovereignty Package (TSP), e cila synon të forcojë sovranitetin digjital të kontinentit.

Aktualisht, pjesa dërrmuese e të dhënave më të ndjeshme globale administrohet nga kompani amerikane të cloud-it. Me TSP-në, Brukseli kërkon të ndryshojë këtë realitet. Paketa pritet të vendosë kufizime serioze për korporata të huaja, veçanërisht ato amerikane, kur bëhet fjalë për përpunimin e të dhënave të institucioneve publike evropiane, përfshirë të dhëna financiare, gjyqësore dhe shëndetësore.

Europe is moving to block Microsoft, Amazon, and Google from handling government health, financial, and legal data

Në shënjestër janë emra të mëdhenj si Microsoft, Amazon dhe Google, të cilët mund të humbasin aksesin në kontrata kyçe publike në BE. Ndërkohë, kompanitë private evropiane do të mbeten të lira të zgjedhin çfarëdo platforme cloud për të dhënat e tyre.

Sipas një komisioneri evropian, TSP është konceptuar për të “ringjallur” ofertat sovrane të cloud-it në BE, duke u dhënë kompanive vendase më shumë hapësirë për t’u rritur dhe për të ndërtuar një bazë institucionale përdoruesish. Reformimi i prokurimeve publike do të synojë gjithashtu një treg më të larmishëm për shërbimet cloud dhe AI.

Paketa e re do të ecë paralelisht me iniciativa të tjera si Cloud and AI Development Act dhe Chips Act 2.0, duke treguar qartë se Evropa po “zgjohet” dhe po përpiqet të marrë kontrollin e së ardhmes së saj digjitale.



Burimi Geekroom.al