Reperi G Bani ka reaguar pas incidentit të raportuar nga gazetari Bledi Mane, i cili ka deklaruar se është sulmuar dhe kërcënuar nga një grup personash në Tiranë.
Përmes një videoje të publikuar në Instagram Story, G Bani ka dalë në mbrojtje të Manes, duke i cilësuar si “fashista” personat që e kanë sulmuar.
“Kishin sulmuar Bledi Manen sot, fashistat. Nuk ngelën pa përdhosur asnjë zë të logjikës, nuk mbetën pa sulmuar asnjë opozitar të vërtetë. Këta fashista, fashista që duan të kalojnë me dhunë mendimin e tyre, pijanerë të xhaxhit Enver”, është shprehur reperi.
Më tej, G Bani ka thënë se, pavarësisht nëse një ditë këta persona do të arrijnë në pushtet, ai nuk do të ketë respekt për ta.
“Ndoshta do të vijë një ditë ndonjëherë në pushtet, se historia shkruhet nga më i forti. Ndoshta me dhunën e tyre do të vijnë në pushtet, por asnjëherë respekt s’do të kem për ta, asnjëherë”, ka deklaruar ai.
Reagimi i reperit vjen pasi Bledi Mane publikoi një deklaratë në profilin e tij zyrtar në Instagram, ku rrëfeu një incident që, sipas tij, ka ndodhur më dje, rreth orës 16:00, në Tiranë.
Mane pretendon se është ndjekur nga një grup prej rreth 30 personash, të cilët i ka cilësuar si “protestues të revolucionit flamingo”. Sipas tij, fillimisht është goditur me një vezë dhe një gur të vogël në pjesën e pasme të kokës.
Gazetari ka treguar se më pas është ndalur për t’i pyetur se çfarë kishin personalisht me të, por turma, sipas tij, ka nisur ta shajë, fyejë dhe kërcënojë në mënyrë të organizuar.
Ai ka deklaruar gjithashtu se personat në fjalë i kanë treguar se si duhej të bënte gazetari, çfarë duhej të shkruante dhe si duhej të fliste në televizion.
“Turma prej 30 personash, mes të cilëve edhe minorenë, mes sharjeve dhe kërcënimeve, më orientonte se si duhet të bëj gazetari dhe çfarë duhet të shkruaj e si duhet të flas në televizor”, ka shkruar Mane.
Në deklaratën e tij, gazetari e ka cilësuar rastin si një sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe gazetarisë, duke theksuar se asnjë individ apo turmë nuk mund t’i ndalë gazetarët në punën e tyre.
Në fund, Mane ka falënderuar organizatat e gazetarëve, mediat, kolegët, miqtë, Policinë e Shtetit dhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri për solidaritetin dhe mbështetjen e treguar.
Ndërkohë, pas këtij reagimi të gazetarit, G Bani ka zgjedhur të shprehë publikisht mbështetjen e tij për Bledi Manen, duke dënuar sulmin dhe përdorimin e dhunës ndaj tij. /Prive By LS










