Fermerët afat deri më 25 shkurt për aplikimin e naftës pa akcizë

Agjentët e GELDTrade të agrobiznesit na njoftojnë se fermerët në të gjithë vendin nga 15 janari mund të nisin të aplikojnë online nga e-Albania për të përfituar naftën falas (pa përfshirë taksën e karbonit, qarkullimit, akcizën dhe TVSH-në me çmim 63,8 lekë/litër).

Afati i aplikimit përfundon më 25 shkurt 2021. Aplikimi online është i mundshëm përgjatë 24-orëve, nga ora 00:01 e datës së hapjes deri në orën 24:00 të datës së përfundimit të periudhës së aplikimit. Udhëzimi i ministrisë të Bujqësisë i botuar në Fletoren zyrtare përcakton se çdo aplikues duhet të jetë i regjistruar ose të bëjë regjistrimin në portalin e-Albania, me status si “biznes”, në mënyrë që të vijojë me aplikimin online.

Regjistrimi në e-Albania, në kategorinë me status “biznes”, duhet të bëhet edhe nga fermerët me NIPT fermeri. Krahas aplikimit fermerët duhet të ngarkojnë elektronikisht dokumentacionin e kërkuar në origjinal ose të noterizuar. Ky regjistrim ka të bëjë vetëm me mënyrën e aplikimit sipas këtij udhëzimi dhe jo me trajtime fiskale apo administrative të tjera.

Sasia e naftës së përfituar nga fermerët do të ndahet në dy periudha brenda vitit dhe tërheqja e sasisë do të bëhet vetëm brenda periudhës së përcaktuar, por jo më vonë se data 30 nëntor 2021.

Udhëzimi shpjegon se lista me subjektet përfituese, sasitë e naftës për secilin prej tyre dhe ndarjen e sasive të lejueshme për t’u tërhequr për çdo sezon, i dërgohen operatorit furnizues të naftës të kontraktuar nga MBZHR-ja. Operatori është i detyruar të prodhojë kartat e naftës për çdo subjekt përfitues. Sasia e kartave të prodhuara do t’i dorëzohet Ministrisë të Bujqësisë, e cila organizon dërgimin e tyre sipas rajoneve të mbuluara nga agjencitë rajonale të ekstensionit bujqësor (AREB-të). AREB-të dorëzojnë kartat duke firmosur procesverbalin përkatës dhe hedhin në sistemin SMI të naftës për bujqësinë, informacionin për dorëzimin e kartës te subjekti përfitues.

Udhëzimi

-Formulari i aplikimit online nëpërmjet e-Albania plotësohet nga aplikuesi mbi bazë vetëdeklarimi, në lidhje me: a) parcelat që kultivohen gjatë vitit; b) kulturat e mbjella apo që do të mbillen në ato parcela gjatë vitit. Formulari i plotë i aplikimit së bashku me udhëzimet përkatëse për plotësimin e tij, jepet në aneksin 2.

-Deklarimi i mbjelljeve nga aplikuesi bëhet si vijon: Fermeri do të deklarojë sipërfaqet e mbjella për vitin bujqësor (1 tetor 2020–30 shtator 2021). Sezoni i parë përfshin mbjelljet e kulturave bujqësore në periudhën e vjeshtës dhe të pranverës (1 tetor 2020 deri më 31 maj 2021). Sezoni i dytë përfshin mbjelljet në periudhën 1 qershor deri më 30 shtator 2021.

-Deklarimi i mbjelljeve nga aplikuesi, bëhet si vijon: a) Për perimet e serrës, fermeri do të deklarojë 2mbjellje në vit. Fermeri do të deklarojë si mbjellje të parë sipërfaqet që ka të mbjella me perime serre në momentin e aplikimit dhe/ose sipërfaqet që do të mbjellë deri më 31 maj 2021 dhe, si mbjellje të dytë, sipërfaqet që do të mbjellë me perime serre nga 1 qershori 2021 deri më 30 shtator 2021. Në këtë kuadër, ai do të deklarojë sipërfaqet e mbjella me perime vetëm për dy mbjellje, pa deklaruar llojin e bimës së mbjellë. b) Për drufrutorët, fermeri do të deklarojë sipërfaqen ekzistuese të mbjellë me këto bimë në momentin e kryerjes së deklarimit, si dhe sipërfaqet që do të mbillen deri më 30 shtator 2021, me kusht që sipërfaqet e reja të mos jenë zëvendësime të sipërfaqeve të deklaruara të mbjella me të njëjtat bimë ose me bimë të tjera. Sipërfaqja e deklaruar që është zënë me këto bimë do të llogaritet e kultivuar vetëm një herë. c) Për kulturat në fushë të hapur, për bimët njëvjeçare të arave dhe perimet e fushës, fermeri do të deklarojë sipërfaqet: i. me bimët e arave të mbjella në vjeshtën 2020 (fakt në momentin e aplikimit) dhe/ose që do të mbillen deri më 31 maj 2021; ii. me perimet e fushës që ka mbjellë (fakt në momentin e aplikimit) ose që do të mbjellë deri në 31 maj 2021. Për efekt të përfitimit të naftës për bimët e arave, fermeri do të deklarojë edhe sipërfaqet e mbjella ose që do mbillen me kultura të dyta dhe që e zënë tokën deri më 30 shtator të vitit 2021. Llogaritja e naftës për kulturat e dyta do të jetë sa 70% e sasisë që llogaritet për të njëjtat bimë si kultura të para. Në rastin e bimëve bashkëshoqëruese, sipërfaqja do të deklarohet vetëm një herë, vetëm për bimën kryesore. Në të gjitha rastet, sipërfaqja e parcelës me bimë arash nuk mund të deklarohet e kultivuar më shumë se dy herë. Për bimët foragjere shumëvjeçare dhe bimët aromatike-mjekësore, fermeri do të deklarojë sipërfaqen e mbjellë me këto bimë në momentin e kryerjes së deklarimit, si dhe sipërfaqet që do të mbillen deri 30 shtator 2021, me kushtet e përcaktuara në pikën “b” për drufrutorët.

-Gjatë aplikimit online, çdo dokument i kërkuar, sipas këtij udhëzimi, do të skanohet dhe ngarkohet në mënyrë elektronike nga aplikuesi, me përjashtim të dokumentit/dokumenteve që ofrohen automatikisht nga portali e-Albania).

-Dokumentacioni i kërkuar për t’u ngarkuar online, sipas këtij udhëzimi, duhet të jetë në origjinal ose i noterizuar, si dhe të jetë në gjuhën shqipe ose në rast se është në gjuhë të huaj, të jetë i përkthyer nga një përkthyes i autorizuar dhe i vërtetuar nga noteri.

-Dokumentacioni që duhet të ngarkohet në sistem është në varësi të statusit të pronësisë apo përdorimit të tokës bujqësore për të cilën aplikohet dhe statusit të regjistrimit të saj në ASHK. Në mënyrë të përmbledhur, dokumentacioni i kërkuar sipas skenarëve të ndryshëm, është si: Certifikatën e pronësisë shoqëruar me kartelën e pasurisë dhe hartën treguese; AMTP (Aplikuesi ka AMTP për tokën bujqësore të lëshuar në emër të tij si përfaqësues i familjes bujqësore); AMTP Certifikatë familjare e gjendjes më 1.8.1991, Marrëveshje dakordësie e shumicës së anëtarëve të familjes bujqësore në gjendjen aktuale, në lidhje me punimin/përdorimin e tokës nga aplikuesi; Kontratë qiraje ose kontratë huapërdorjeje e noterizuar.

-Procedura e aplikimit nëpërmjet portalit e-Albania përfundon me dërgimin e suksesshëm të formatit elektronik të formularit të aplikimit në sistem dhe aplikuesi njoftohet me një mesazh elektronik. Aplikimi elektronik do të ketë kushte të programuara në formë, që nuk do të lejojnë vazhdimin e plotësimit të aplikimit, nëse nuk përmbushen kriteret bazë të kualifikimit në lidhje me madhësinë e sipërfaqes totale të deklaruar, madhësinë e parcelave, kulturat e mbjella dhe tipin e dokumentacionit në lidhje me tokën bujqësore.

GELDTrade.al