Fermerët po braktisin mbjelljet/ Serrat drejt falimentimit

Për të tretin vit, fermat e konsoliduara të serrave po përballen me humbje sidomos në mbjelljet e dyta, si rrjedhojë e rritjes së kostove dhe rënies së çmimeve. Tarifat e larta të inputeve (plehrave, plastmasës, farave etj.) i çuan kostot e prodhimit të një kilogrami domate në 33-35 lekë, ndërsa çmimet e shitjes me shumicë shkojnë 20-30 lekë për kilogram. Fermerët po braktisin mbjelljet, në pritje të një skeme mbështetjeje. Ministria e Bujqësisë është në shqyrtim të një varianti që synon mbështetjen direkte, ose kompensimin e humbjeve.

Prodhuesit duhet vetëm të prodhojnë, nuk duhet të stresohen për çmimet dhe gjetjen e tregut, në vende normale qeveritë i zgjidhin këto punë. Rritja e kostove të lëndëve të para e kombinuar me mungesën e tregut dhe çmimet e ulëta i kanë çuar drejt greminës bizneset bujqësore, sidomos ato të serrave këtë vit. Humbje këtë vit kanë pësuar edhe më profesionistët, njohës të mirë të sekreteve të bujqësisë.

Ministria e Bujqësisë dhe Kryeministri u takuan javën e kaluar me një përfaqësi fermerësh dhe ranë dakord që të shqyrtojnë një skemë e cila të mbrojë prodhuesit. Disa variante janë në diskutim, mbështetja me subvencione direkte ose kompensimi i humbjeve, sqaruan burimet nga Ministria e Bujqësisë, pa dhënë detaje.

Prodhimi i perimeve në serra në vitin 2020 zuri 32% të prodhimit të perimeve gjithsej dhe ka ardhur në rritje të dukshme nga viti në vit. Bujqit e serrave përfaqësojnë pjesën më të organizuar të bujqësisë, pasi pjesa më e madhe e tyre janë të formalizuar, kanë NIPT dhe bëjnë edhe transaksione me banka. Të dhënat zyrtare numërojnë mbi 1798 hektarë me serra në të gjithë vendin, më 2020, me zgjerim gati 100% në krahasim me vitin 2013. Me të njëjtat ritme është rritur edhe prodhimi dhe eksporti i këtyre produkteve.

Vitin e kaluar, eksporti i perimeve shënoi gati 100 milionë euro, por të dhënat nga tregtia e jashtme e këtij viti reflektojnë shqetësimet e fermerëve. Gjatë 10-mujorit, eksportet e perimeve janë rritur me vetëm 1.5% nga mbi 10% në vitet e shkuara.

Çmimet e larta të lëndëve të para kanë dekurajuar shumë fermerë. INSTAT raportoi se, në tremujorin e dytë të vitit 2021, kur shënohet edhe kulmi i vjeljes në serra nga sezoni i parë, prodhimi bujqësor shënoi rënie me 0.6% ndryshe nga sektorët e tjerë të ekonomisë që njohën një rritje jo të zakontë. Me gjithë problematikën që ka, bujqësia vijon të jetë sektori kryesor i ekonomisë me kontribut 18% në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) dhe mbi 44% të totalit të punësimit.