Fermerët – Projektligji, do kenë të drejtë të lënë si kolateral prodhimin e ardhshëm

Fermerët shqiptarë do të kenë të drejtë të marrin kredi, duke lënë si kolateral prodhimin e ardhshëm ose atë të magazinuar. Gjithçka përcaktohet në një projekltigj të nxjerrë për konsultim publik, që sipas relacionit shoqërues ka si qëllim të sigurojë sa më shumë financime në bujqësi, pagesa të shpejta dhe të drejta për fermerin për produktin bujqësor të ardhshëm dhe atë të magazinuar, si dhe krijimin e një sistemi kolaterali biologjik nëpërmjet këtyre produkteve.

Draftiligji “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore” është përgatitur nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe qeverinë zvicerane, përmes IFC dhe SEECO.

Dokumenti parashikon të drejtën që do të kenë fermerët e pajisur me NIPT për të lëshuar dy instrumentet financiare si “dëftesa tregtare mbi produktin bujqësor të ardhshëm” dhe “dëftesa tregtare mbi produktin bujqësor të magazinuar”, si dhe procedurën elektronike të lëshimit të këtyre dëftesave, regjistrimin e tyre në formë elektronike, si dhe në regjistrin e barrëve siguruese. Sipas realcionit zbatimi i këtij ligji nuk do të sjellë kosto të shtuara për fermerët apo subjektet e tjera të përfshira, si: grumbulluesit, eksportuesit, agropërpunuesit, furnizuesit e lëndëve të para, investitorët, etj.

Procedura për lëshimin e këtyre dëftesave tregtare është parashikuar të jetë krejtësisht elektronike, nëpërmjet platformës shtetërore e-Albania, pa tarifa, duke kryer në të njëjtën kohë online edhe regjistrimin si barrë siguruese të këtyre titujve.

Efekti primar që pritet të sjellë do të jetë shtimi i financimit në bujqësi, rritja e sipërfaqes së kultivuar në vend, rritja e sasisë dhe cilësisë së produkteve bujqësore, si dhe një funksionim më i mirë i gjithë zinxhirit të produkteve bujqësore, që nga mbjellja te përpunimit. Si efekt indirekt pritet që projektligji të shmangë problemin e shkaktuar deri tani nga copëzimi i skajshëm i tokës bujqësore.