Fermerët vijojnë të tërheqin kartat e naftës falas

Çdo ditë me dhjetra fermerë në të gjithë vendin po marrin kartat e naftës për bujqësinë.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi bëri të ditur sot se procesi vijon normalisht dhe zyrat AREB po bëjnë shpërndarjen e tyre, derisa edhe fermeri i fundit të ketë marrë në dispozicion sasinë e naftës që përfiton për të punuar tokën e tij.

Nga data 15 janar kur nisën aplikimet online e deri më 30 mars, 20561 fermerë aplikuan online në portalin e-Albania.

Aplikimet u kryen nga fermerë të të gjitha qarqeve të vendit, por numri më i madh i tyre është në qarkun e Korçës, Fierit, Beratit, Elbasanit, Dibrës dhe Tiranës.

Fermerët janë asistuar gjatë gjithë procesit të aplikimit nga specialistët e bujqësisë pranë Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor dhe Agropikave, por edhe nga njësitë e qeverisjes vendore.

Sasia e naftës së prokuruar për këtë skemë i ka kushtuar buxhetit të shtetit 10 milionë USD dhe sasia e naftës parashikon të mbulojë nevojat vjetore të fermerit.

Implementimi i kësaj skeme, krahas të tjerash ka ndikuar pozitivisht në formalizimin e fermerëve, nëpërmjet pajisjes me NIPT.

GELDTrade.al