Rreshjet e shiut kanë përmirësuar situatën në Kaskadën e Drinit, teksa uji në liqenin e Fierëz arriti mbi nivelet historike përgjatë periudhës janar – qershor të këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë në muajin qershor niveli në këtë liqen arriti në 296.3 m apo 7 metra më shumë se mesatarja historike, si dhe duke tejkaluar edhe maksimalen që është shënuar për këtë muaj, në 30 vitet e fundit. Niveli maksimal u tejkalua edhe gjatë muajit janar të këtij viti, ndërkohë që përgjatë periudhës 6-mujore, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka shitur energji, duke gjeneruar të ardhura.
Përmirësimi i situatës në Kaskadën e Drinit vjen pas një situate jo te favorshme të vitit të kaluar, ku gjatë muajve të verës niveli i Fierzës arriti nën nivelet historike. Ndërkaq, pavarësisht përmirësimit të situatës elektorenergjetike në vend, qeveria ka vendosur të mbajë në fuqi emergjencën në furnizimin me energji elektrike. Afati i vendosur më herët përfundonte në datën 30 qershor, por përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave u përcaktua zgjatja deri në 31 dhjetor 2023.
Gjendja e emergjencës së furnizimit me energji elektrike, u shpall në tetor të vitit 2021, ndërkohë që është shtyrë disa herë, duke pezulluar investimet e kompanive publike të energjisë, si dhe duke lenë kompetencat për shit-blerjet e energjisë te Korporata Elektorenergjetike Shqiptare dhe jo te Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, që i menaxhonte përpara shpalljes së emergjencës.