Skema mbështetëse ndaj sektorit të peshkimit me teknologji të reja dhe subvencionimin e naftës, ka ndikuar në rritjen e eksporteve të produkteve të peshkut, si dhe të të ardhurave në familjet e peshkatarëve. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca zhvilloi një takim portin e peshkimit në Shëngjin, me peshkatarët dhe përpunuesit e peshkut, ku theksoi rëndësinë e mbështetjes për këtë sektor.
“Ky sektor është mbështetur përsa i përket vështirësive që ka kaluar, edhe për shkak të rritjes së çmimit të naftës ku u realizua subvencioni me 40 lekë për litër dhe peshkatarët patën mundësi që të vijonin pa ndërprerje punën e tyre. Ne këtë mbështetje kemi filluar ta ofrojmë vitin e shkuar përmes AZHBR ku kanë përfituar 35 peshkatarë, të cilët kanë rinovuar anijet e tyre, ndërsa me projekte të tjera kemi mbështetur rreth 260 anije”.
Krifca nënvizoi gjithashtu se mbështetja për këtë sektor do të vijojë me qëllim fuqizimin e mëtejshmëm të tij.
“Ky është një sektor që ka vështirësi për të përthithur frymë të re dhe rini, ndaj ndihemi krenar për punën tuaj. Mbështetja do të vijojë edhe më tej përmes skemave tona, ndërsa përsa i përket legjislacionit, kemi punuar dhe po punojmë për ta përafruar edhe me standardet e Bashkimit Evropian”.
Për rinovimin e anijeve të peshkimit, peshkatarët u rimbursuan nga shteti në masën 50% e totalit të investimit. Ndërsa 200 milionë lekë është vlera e naftës së financuar për peshkatarët.