Fiskalizimi/  Qeveria do të vijojë të mbështesë biznesin gjatë implementimit të reformës

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se qeveria do të vijojë të mbështesë biznesin gjatë implementimit të reformës së Fiskalizimit.

Ministrja Denaj vizitoi një nga bizneset që operon në Delvinë.

“Dritën ma përshkruan si një zonjë punëtore dhe me vullnet të fort. Një grua që biznesin e ka ngritur dhe mbajtur ndër vite. Ashtu ishte vërtetë. Në krye të biznesit, edhe gjatë pandemisë ajo sot përfiton nga mbështetja e Qeverisë përmes lehtësive fiskale. Do të vazhdojmë t’i jemi pranë në çdo mënyrë edhe gjatë procesit të ri të Fiskalizimit këtë vit”, tha ajo.

Reforma e Fiskalizimit krijon një mekanizëm të mbikëqyrjes në kohë reale, të pajisjeve fiskale që operojnë me para në dorë dhe atyre pa para në dorë.

Prej datës 1 janar, faturat që lëshohen për entet publike/shtetërore duhet të jenë fatura elektronike, të cilat shkëmbehen nëpërmjet platformës qendrore të faturave.

Ky është hapi i parë i përshtatjes me një sistem novator, që lehtëson dhe përshpejton proceset e punës dhe komunikimin me Administratën Tatimore.

Më datë 1 korrik 2021 do të nisë Fiskalizimi për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve. Më datë 1 shtator 2021 do të nis për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit pavarësisht përgjegjësisë tatimore apo qarkullimit vjetor të realizuar. 

GELDTrade.al