Fiskalizimi/ Të dhënat transferohen në kohë reale te Tatimet, ndihmon formalizimin e ekonomisë

Drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj deklaroi se nga Fiskalizimi preken të gjithë tatimpaguesit që lëshojnë fatura dhe se ky proces do të ndihmojë në formalizimin e ekonomisë.

Ligji i fiskalizimit, vuri në dukje Ibrahimaj, i shërben si administratës tatimore në kuptimin e gamës së informacionit që merr, eficiencës që kryen dhe punëve që do të kryhen, por edhe biznesit nga krahu tjetër.

“Janë ato subjekte të TVSH dhe organet publiket, preken bankat dhe institucionet financiare jobanka, pra të gjithë ata që lëshojnë faturë, përveç individëve”, tha Ibrahimaj gjatë një interviste në medie.

Sipas Ibrahimaj, është mënyra e transmetimit të dhënave dhe lëshimit të faturave ajo që ndryshon.

“Fatura e lëshuar në mënyrë elektronike do vijë direkt në Drejtorinë e Tatimeve. Mund të jetë nëpërmjet një softi që një kompani e përdor për të mbajtur kontabilitetin në mënyrë që të transferojë të dhënat tek Tatimet. Nëse më përpara kuponi tatimor lidhej me kasën dhe kuponin, sot gjithçka do të quhet fatura elektronike dhe të dhënat do transferohen në kohë reale te Tatimet”, tha ajo.

Fiskalizimi po implementohet në 3 faza: faza e parë, bizneset që kanë marrëdhënie me entet publike, në vijim bashkë me certifikatën elektronike mundësojmë lëshimin e faturës elektronike. Faza e dytë fillon në 1 korrik dhe është marrëdhënie e bizneseve me njëri-tjetrin, por për ato transaksione që kalojnë nëpërmjet llogarive bankare dhe faza e tretë, në 1 shtator marrëdhëniet me para në dorë, ato që në fund kompletojnë të gjithë procesin.

GELDTrade.al