Fiskalizohen gjysma e bizneseve, ja sa % e tyre janë biznese të vogla

Nga 1 korriku ka nisur procesi i fiskalizimit për transaksionet e bizneseve pa para në dorë.

Drejtori e Përgjithshme njoftoi se deri tani janë 17,470 biznese të Fiskalizuara dhe mbi 11 milionë fatura të fiskalizuara. 43% e subjekteve të fiskaliara janë të vogla.

Në afzën e dytë të këtij procesi pritej të përfshiheshin 34 mijë subjekte, ndërsa deri tani fiskalizimin po e përdorin gjysma e tyre.

Nga 1 shtatori pritet të nisë zbatimin faza e tretë e procesit të fiskalizimit, me bizneset që kryejnë transaksione me para në dorë për konsumatorin. Ky është grupi i fundit i subjekteve që do të përfshihen në sistemin e ri të faturimit elektronik. Në total, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, do të fiskalizohen rreth 100 mijë biznese. Si rrjedhojë, në fazën e tretë, do të duhet të përfshihen gati 70 mijë subjekte.

Për shkak të numrit të ulët të bizneseve të mëdha që janë përfshirë deri tani në fiskalizim dhe problemeve të shumta që u krijuan në fazën e dytë, kontabilistët shprehen se faza e tretë do të jetë e parealizueshme.

Tatimet: Do të kemi qasje këshilluese dhe informuese

Qasja e Administratës Tatimore do të jetë këshilluese dhe informuese për t’i ardhur në ndihmë çdo tatimpaguesi, njoftuan tatimet.

Në 1 Janar 2021 nisi faza e parë e zbatimit të kësaj reforme, që konsiston në transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe enteve publike (B2G), në 1 Korrik 2021 nisi faza e dytë për transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve (B2B), ndërsa më 1 Shtator do të nisë faza e tretë për transaksionet me para në dorë tatimpagues-konsumator (B2C).

Reforma e Fiskalizimit ka një ecuri pozitive me shifrat që janë rritur ndjeshëm muaj pas muaji. Shifrat, të cilat do të publikohen në mënyrë periodike përfshijnë numrin total të bizneseve të fiskalizuar, të ndara këto dhe në biznes i madh dhe biznes i vogël, numrin total të bizneseve të ndara sipas DRT-ve, numri i bizneseve të fiskalizuar sipas sektorëve, numrin total të faturave të fiskalizuara, të ndara këto dhe në biznes i madh dhe biznes i vogël.