Teksa trafiku i pasagjerëve që udhëtojnë përmes aeroportit “Nënë Tereza” ka shënuar rritje të ndjeshme, Londra, Milano dhe Bergamo janë 3 destiancionet me numrin më të lartë të pasagjerëve për muajin mars të këtij viti. Sipas të dhënave nga Aeroporti i Rinasit drejt Londrës dhe anasjelltas udhëtuan 39 500 pasagjerë, duke shënuar rritje me 29% në krajhasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë që, destinacioni i Milanos numëron rreth 29 500 pasagjerë, ndërsa Bergamo rreth 22 500 pasagjerë.
Ndërkaq, të njëjtat të dhëna tregojnë se janë një sërë detinacioesh që kanë pësuar një rritje të madhe të fluksit të pasagjerëve. Lista kryesohet nga Nice, me 1578% pasagjerë më shumë se muaji mars i vitit që shkoi, ndërsa pas saj vjen Pescara me një rritje prej 1014% të fluksit të pasagjerëve. Në fakt, janë 40 destinacione të ndryshme, që kanë shënuar rritje të fluksit të pasagjerëve, ndërkohë që 7 të tjerë regjistrojnë rënie të tyre, në raport me vitin e kaluar.
Rënien më të madhe e ka pësuar Varshava, ndjekur nga Gjeneva, Dubai, etj. Në total, në muajin mars të këtij viti përmes aeroportit “Nënë Tereza” udhëtuan 411 184 pasagjerë, apo 40% më shumë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Këto të dhëna vijnë pas një goditjeje të fortë që mori industria e aviacionit pas pandemisë së shkaktuar nga COVID -19, si pasojë e kufizime në udhëtim, që vendosësh shtetet, teksa shumë projeksione treguan se rekuperimi i plotë do të kërkonte disa vite.