FMN vlerëson ekonominë e Kosovës

Mes një konteksti sfidues global, kushtet makroekonomike në Kosovë kanë mbetur të favorshme. Deklarata është bërë nga misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, që vizitoi Kosovën nga 31 korriku deri më 4 gusht, ku u takua me drejtues të lartë të vendit.

Sipas FMN, rritja ekonomike e vendit mbetet elastike, inflacioni vazhdon të bjerë dhe deficiti i llogarisë korrente ka filluar të ngushtohet. Të ardhurat fiskale vazhdojnë të rriten me ritme të shëndetshme, zbatimi i programit të investimeve publike është rritur dhe parametrat fiskalë kanë mbetur në nivelet e duhura.

Por, shqetësim për misionin e FMN mbetet paqëndrueshmëria dhe tensionet në Kosovën veriore.

“Në veçanti, zhvillimet e fundit në katër komunat veriore çuan në masa të përkohshme dhe të kthyeshme nga disa donatorë dhe partnerë tradicionalë që kufizojnë bashkëpunimin e ri ekonomik dhe financiar. Nëse këto masa hiqen në një periudhë afatshkurtër, ato nuk pritet të ndikojnë në perspektivën ekonomike të vendit. Por, mund të bëhen pengesë për investimet e huaja direkte dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi, nëse qëndrojnë për një kohë më të gjatë.”

Gjatë vizitës, misioni i FMN-së diskutoi me autoritetet e vendit zhvillimet e fundit makroekonomike dhe politike dhe progresin në projektbuxhetin 2024. Misioni gjithashtu vlerësoi progresin e mirë të bërë drejt përmbushjes së angazhimeve kryesore në kuadër të programeve të mbështetura nga Fondi.