Fondet e investimit në euro pësuan një rënie të ndjeshme vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), vlera neto e aseteve të fondeve të investimit në euro pësoi një rënie vjetor me 9.65%.
Në fund të vitit 2020, asetet e fondeve të investimit në monedhën europiane kishin vlerën e 71 milionë eurove dhe përbënin afërsisht rreth 13% të mjeteve totale të tregut të fondeve të investimit. Rënia e vlerës së aseteve të fondeve duket se është ndikuar ndjeshëm nga kthimet negative të fondeve në euro. Kthimet negative ndikojnë në ulje të vlerës së aseteve, por njëkohësisht edhe dekurajojnë investimet e reja në këto fonde.
Fondi më i madh, Raiffeisen Invest Euro, në fund të vitit 2020 raportonte një kthim negativ nga investimi, në nivelin -1.41%. Sipas të dhënave më të fundit, të muajit Shkurt, ky tregues u përkeqësua më tej, në nivelin -2.01%. Fondet në euro i investojnë pjesën më të madhe të kuotave në obligacione të qeverive dhe shoqërive të huaja tregtare. Vetëm njëri prej fondeve aktualisht investon në aksione, por përmasat e tij janë mjaft modeste.
Kriza ekonomike që shkaktoi pandemia ka dhënë një ndikim negativ në portofolin e investimeve të këtyre fondeve dhe momentalisht investimi në to, me bazë vjetore, rezulton me humbje. Kthimi nga fondet e investimit parimisht lëviz në përpjestim të zhdrejtë me ecurinë e yield-eve të instrumenteve ku fondet kanë investuar. Për shembull, rritja e yield-eve të obligacioneve në një periudhë të caktuar ndikon në rivlerësimin në rënie të portofolit të fondit. Përkundrazi, nëse yield-et e obligacioneve bien, kthimi nga portofoli ekzistues i fondit rivlerësohet në rritje.
Pavarësisht kthimit negativ vjetor, në analizat e tyre shoqëritë administruese nënvizojnë se investitorët afatgjatë kanë përfituar një performancë pozitive dhe të kënaqshme. Për shembull, Fondi Raiffeisen Invest, që nga themelimi, në Nëntor 2012, raporton një kthim pozitiv me 1.99%. Kjo nënkupton se dikush që ka investuar në këtë fond prej fillimit dhe nuk i shitur ende kuotat e tij aktualisht rezulton me një kthim të vogël, por pozitiv.
Në fund të vitit 2020, në tregun shqiptar ishin tre fonde të licencuara për investime në monedhën euro, por njëri prej tyre u licencua vetëm në Tetor të vitit të kaluar. Aktori më i madh ngelet fondi Raiffeisen Invest Euro, i menaxhuar nga shoqëria administruese me të njëjtin emër në pronësi të Raiffeisen Bank.









