Franca ndalon fluturimet e shkurtra brenda vendit – Synon uljen e dioksidit të karbonit

Franca ka ndaluar fluturimet e brendshme me distanca të shkurtra ku ka alternativa në formën e transportit hekurudhor, në përpjekje për të reduktuar emetimet e dioksidit të karbonit. Ligji hyri në fuqi dy vjet pasi parlamenti votoi për të hequr linjat ku i njëjti udhëtim me tren mund të përfundojë në më pak se dy orë e gjysmë.

Ndalimi nuk zbatohet vetëm për trafikun ajror midis Parisit dhe disa qyteteve, duke përfshirë Nantes, Lyon dhe Bordeaux, si dhe për fluturimet tranzit.

Por kritikët i kanë përshkruar masat e fundit si “ndalime simbolike”. Grupi i industrisë Airlines for Europe (A4E), i tha agjencisë së lajmeve AFP se “ndalimi i këtyre udhëtimeve do të ketë vetëm efekte minimale” në prodhimin e CO2. Ai shtoi se qeveritë duhet të mbështesin “zgjidhje reale dhe domethënëse” për këtë çështje.

Linjat ajrore në të gjithë botën janë prekur rëndë nga pandemia e koronavirusit, me faqen e internetit Flightradar24 që raporton se numri i fluturimeve vitin e kaluar ishte ulur pothuajse 42% nga 2019. Qeveria franceze ishte përballur me kërkesa për të vendosur rregulla edhe më të rrepta.

Konventa e Qytetarëve të Francës për Klimën, e cila u krijua nga Presidenti Emmanuel Macron në 2019 – ën dhe përfshinte 150 anëtarë që përfaqësonin popullin, kishte propozuar heqjen e udhëtimeve me avion në momentin që ekzistonte mundësia e zëvendësimit me udhëtime me tren, për një periudhë kohore më pak se katër orë.

Por kjo u reduktua në dy orë e gjysmë pas kundërshtimeve nga disa rajone, si dhe nga linja ajrore Air France-KLM. Mesatarisht, aeroplani lëshon 77 herë më shumë CO2 për pasagjer sesa treni në këto rrugë, edhe pse treni është më i lirë dhe koha e humbur është e kufizuar në 40 minuta.