Qeveritë evropiane kanë kërkuar prej kohësh të reduktojnë varësinë nga softuerët jo-evropianë, veçanërisht ata amerikanë. Së fundmi, Franca ka bërë një hap të rëndësishëm në këtë drejtim, duke shpallur një plan të gjerë për të kaluar nga mjete si Windows, Microsoft Office, Zoom dhe Google Docs drejt alternativave evropiane dhe open-source.
Sipas Drejtorisë Ndërministrore Digjitale të Francës (DINUM), vendi synon të zëvendësojë sistemet operative Windows me Linux në administratën publike. Ministritë kanë afat deri në vjeshtë për të hartuar plane konkrete për reduktimin e varësisë nga teknologjitë jo-evropiane në fusha të ndryshme si bashkëpunimi, siguria, inteligjenca artificiale, databazat dhe rrjetet.
Franca po promovon përdorimin e mjeteve të zhvilluara brenda vendit ose në Evropë. Disa prej tyre përfshijnë Tchap për komunikim, Visio si alternativë ndaj Zoom dhe FranceTransfer për dërgimin e dokumenteve. Gjithashtu, do të zhvillohen partneritete midis sektorit publik dhe privat për të mbështetur këtë tranzicion.
Ky veprim është një nga sinjalet më të forta që Evropa po kërkon të forcojë “sovranitetin digjital” dhe të zvogëlojë ndikimin e kompanive të mëdha amerikane si Microsoft, Google dhe Apple. Bashkimi Evropian ka ndërmarrë edhe iniciativa ligjore si Digital Services Act dhe Digital Markets Act për të rregulluar këto kompani dhe për të garantuar konkurrencë dhe ndërveprueshmëri më të drejtë.
Në të njëjtën kohë, vende të tjera evropiane po ndjekin shembullin. Franca dhe Gjermania kanë zhvilluar një alternativë ndaj Google Docs të quajtur Docs, ndërsa rajoni gjerman i Schleswig-Holstein ka vendosur të kalojë nga Microsoft Teams në LibreOffice. Edhe Gjykata Ndërkombëtare Penale ka zgjedhur një platformë të ngjashme open-source.
Interesi për Linux është rritur ndjeshëm, duke ofruar alternativa të qëndrueshme dhe fleksibile. Përmirësimet e fundit, madje edhe në lojëra, tregojnë se Linux po bëhet një opsion gjithnjë e më i fuqishëm për përdorim të gjerë institucional dhe individual.









