Lini është një fshat i bukur piktoresk buzë liqenit të Pogradecit, me shtëpitë e vogla ngritura puqazi njëra-tjetrës me shpinë nga kodra. Fshati zgjon kuriozitetin e çdo udhëtari apo turisti që udhëton në rrugën Qafë Thanë – Pogradec
Në pjesën më të madhe të këtyre shtëpive, sidomos natën, dëgjohet llokoçitja e valëve të liqenit, lopatat e varkëtarëve dhe zëri i pulëbardhave.
“Shtëpitë janë të stolisura me lule, plakat me të zeza të ulura në hije dhe fëmijët që lozin jashtë me varka. Siç i themi njëri- tjetrit ‘do të ishte mirë të qëndronim në një prej këtyre shtëpive’, një grua e re na mirëpret në anglisht: “Doni të qëndroni në shtëpinë time?”, do të shprehej gazetari i “The Guardian”, Kevin Rushby, duke përmendur koranin e famshëm në një shkrim të tijin disa vite më parë.
Tani Linit i ka ardhur një tjetër “e mirë në derë”, shëtitorja e famshme 14 km që lidh Linin me Pogradecin. Zona ka ende nevojë për mbështetje për të zhvilluar infrastrukturën dhe turizmin. Turistët vijnë këtu jo vetëm për të parë mozaikët e Linit, por gjithashtu për të vizituar varret monumentale të Selces, të cilët të impresionojnë me madhështinë e tyre.