Federata Shqiptare e Futbollit dhe Ministria e Arsimit e Sportit do të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi në kuadër të projektit “Programi i Futbollit për Shkollat” që do të realizohet me mbështetjen e FIFA-s.
Marrëveshja do të nënshkruhet nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ndërkohë që për të implementuar këtë bashkëpunim do të ngrihet një grup i përbashkët pune që do të koordinojë programin në të gjitha fazat duke përfshirë edhe FIFA-n. Ky program do të zbatohet në 116 shkolla në të gjithë Shqipërinë, teksa numri i mësuesve dhe veçanërisht fëmijëve të përfshirë do të jetë shumë i madh.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje do të jetë mbështetja e shkollave, duke trajnuar mësuesit e edukimit fizik për të zhvilluar dhe zbatuar sportin e futbollit në aktivitetet jashtëshkollore. Gjithashtu marrëveshja do të sigurojë mbështetjen e shkollave duke shpërndarë materiale për zhvillimin e sportit të futbollit nëpërmjet FSHF-së.
Pas nënshkrimit dhe ngritjes së grupit të punës do të vijohet fillimisht me trajnimin e personave të përzgjedhur për këtë projekt, të cilët më pas do të trajnojnë mësuesit e edukimit fizik në shkollat përkatëse