GDG Tirana sjell Build with AI, hackathon-in më të madh AI në Shqipëri


Për herë të parë, GDG Tirana sjell në Shqipëri Build with AI Tirana 2026, një hackathon që nuk ka të bëjë thjesht me kodin, por me ndërtimin e produkteve reale me AI, nga ideja te demo finale. Po flasim për një event që e vendos inteligjencën artificiale në qendër të procesit krijues.

Build with AI është pjesë e një serie globale hackathon-esh dhe në edicionin e Tiranës vjen me mbështetje serioze nga Google Developer Experts, përdorim i mjeteve më të fundit AI nga Google dhe një format që i shtyn pjesëmarrësit të mendojnë si ndërtues produktesh, jo thjesht si programues.

Eventi organizohet në partneritet me Plug and Play Tech Center, AI Hub Albania dhe Gjirafamall.al, ndërsa finalja zhvillohet fizikisht në Piramidën e Tiranës, të kthyer tashmë në një simbol të teknologjisë dhe inovacionit në kryeqytet.

Dy ditë, një fokus: produkti

  • 20 maj 2026 (online): kickoff zyrtar, prezantime teknike dhe njohje me arkitekturat moderne AI.
  • 22 maj 2026 (fizikisht): mentorim intensiv, ndërtim produktesh, demo live dhe vlerësim nga ekspertët.

Qëllimi është që ekipet të punojnë mbi ide konkrete dhe t’i shndërrojnë ato në prototipe funksionale, duke përdorur AI dhe cloud në mënyrë reale, jo teorike.

Çfarë e bën Build with AI ndryshe?

Ky nuk është një event “thjesht për të lexuar disa slide”. Pjesëmarrësit marrin:

  • Google Cloud Credits për zhvillim dhe shkallëzim
  • Mentorim nga inxhinierë dhe profesionistë ndërkombëtarë
  • Sesione praktike, hands-on
  • Swag dhe shpërblime për produktet më inovative

Tirana dhe AI: një kombinim që po forcohet

Build with AI Tirana 2026 është një tjetër sinjal se Tirana po pozicionohet seriozisht si qendër në rritje për AI në Ballkan. Zhvillues, inxhinierë softuerik, studentë, themelues startup-esh dhe profesionistë të teknologjisë nga Shqipëria dhe rajoni pritet të jenë pjesë e këtij formati.

Nëse do të ndërtosh, jo vetëm të flasësh për AI, ky është eventi yt. Regjistrimet janë të hapura, por vendet janë të limituara.



Burimi Geekroom.al