Gjeologu zbulon pasuritë e nëntokës shqiptare: Mineralet kritike që përdoren për dronë dhe industrinë ushtarake


Shqipëria zotëron rezerva të konsiderueshme mineralesh strategjike, të cilat sot konsiderohen kritike për industrinë europiane dhe përdoren gjerësisht në teknologji moderne, industri ushtarake dhe prodhimin e dronëve.

Specialisti i gjeologjisë, Panajot Aliçkolli, deklaroi për Inside Story se rezervat e hekur-nikelit në vend arrijnë në rreth 104 milionë tonë, ku 52 milionë tonë janë mineral hekur-nikeli dhe 48 milionë tonë hekur-nikel silikati.

Sipas tij, analizat kimike të kryera ndër vite tregojnë se përmbajtja e hekurit varion nga 35% deri në 44%, ndërsa nikeli mesatarisht arrin rreth 1%. Në mineralin nikel silikat, përqindja e nikelit është edhe më e lartë, duke shkuar deri në 1.3%.

Eksperti shpjegon se dallimet mes dy mineraleve vihen re edhe në pamjen e jashtme. Hekur-nikeli ka ngjyrë kafe të errët, ndërsa nikel silikati paraqitet me një nuancë më të çelur. Ndryshime ka edhe në strukturën gjeologjike dhe fortësinë e tyre, për shkak të përmbajtjes më të lartë të silicës tek nikel silikati.

Aliçkolli thekson se këto minerale kanë rëndësi të veçantë për ekonominë moderne, pasi përdoren në industrinë e avionëve, prodhimin e dronëve, pajisjeve ushtarake, paneleve elektrike dhe baterive me litium.

Megjithatë, sipas tij, Shqipëria aktualisht nuk po përfiton sa duhet nga këto pasuri natyrore, edhe pse Bashkimi Evropian i konsideron këto elemente si lëndë të para kritike për të reduktuar varësinë nga tregjet e tjera globale.

“Nevoja për këto minerale po rritet vazhdimisht, sidomos në një kohë kur industria teknologjike dhe ajo ushtarake janë në zgjerim”, u shpreh gjeologu.



Burimi Monitor.al