Shqipëria do të përfitojë një paketë financimi prej 114 milionë eurosh nga Gjermania për realizimin e tre projekteve strategjike në fushën e energjisë dhe arsimit. Marrëveshjet e nënshkruara përfshijnë 90 milionë euro kredi dhe 24 milionë euro grant, të destinuara për investime në infrastrukturë dhe efiçencë energjetike.
Një pjesë e konsiderueshme e fondeve do të përdoret për modernizimin dhe digjitalizimin e sistemit të transmetimit të energjisë elektrike, me synimin për të automatizuar operacionet dhe për të rritur sigurinë e rrjetit energjetik.
Po ashtu, financimi do të mbështesë rehabilitimin e hidrocentralit të Vaut të Dejës, një prej veprave më të rëndësishme për prodhimin e energjisë në Shqipëri, duke synuar rritjen e efikasitetit dhe jetëgjatësisë së tij.
Nga paketa totale, 24 milionë euro grant do të investohen në rikonstruksionin e konvikteve të Qytetit Studenti. Projekti parashikon përmirësimin e efiçencës energjetike të godinave, uljen e konsumit të energjisë dhe krijimin e kushteve më të mira të akomodimit për studentët.
Sipas ministrit Karakaçi, granti i ofruar nga qeveria gjermane do të shërbejë për investime me ndikim të drejtpërdrejtë në interesin publik, duke përmirësuar kushtet për studentët dhe duke nxitur kursimin e energjisë.
Projektet do të zbatohen me mbështetjen e qeverisë gjermane dhe bankës KfW, si pjesë e bashkëpunimit mes dy vendeve për modernizimin e sektorit energjetik dhe zhvillimin e infrastrukturës publike.










