Kabineti i Gjermanisë miratoi të mërkurën një projekt-ligj të diskutueshëm novator që do t’i lejojë të rriturit të blejnë dhe posedojnë sasi të vogla kanabisi për përdorim rekreativ.
Vendimi, i cili ende duhet të miratohet nga parlamenti, do t’i lejojë ata të posedojnë deri në 25 gramë dhe të rritin maksimumi tre bimë për përdorimin e tyre personal.
Ata gjithashtu do të jenë në gjendje të blejnë drogën duke u bashkuar me “klubet e kanabisit” jofitimprurëse, të cilat do të lejohen të kenë një maksimum prej 500 anëtarësh.
Aktualisht, kanabisi mund të prodhohet dhe përdoret ligjërisht në vend për nevoja të kufizuara mjekësore.
Kancelari Olaf Scholz shpreson se ligji do të frenojë tregun e zi, do të mbrojë konsumatorët nga marihuana e kontaminuar dhe do të reduktojë krimin e lidhur me drogën.
“Ne duam të kufizojmë konsumin dhe ta bëjmë atë më të sigurt, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë. Por ne nuk duam ta zgjerojmë atë”, tha ministri i shëndetësisë Karl Lauterbach në një konferencë për shtyp.
Për të rinjtë, posedimi dhe konsumimi mbetet i ndaluar. Lauterbach tha se një shtyllë kryesore e planit është një fushatë për të rritur ndërgjegjësimin për rreziqet e përdorimit të drogës.
Mbrojtja e fëmijëve dhe të rinjve do të zgjerohet, tha ai, dhe do të sigurohet më shumë arsim.
“Ajo që ne bëjmë gjithashtu është të ofrojmë masa parandaluese për ata që kapen. Dhe në rast të konsumit problematik, thirren edhe zyrat e mirëqenies së të rinjve që të mos e lëmë këtë të rrëshqasë,” shtoi ai.
Megjithatë, ka pasur kundërshtime të ashpra ndaj ligjit. Partitë e opozitës paralajmëruan se do të inkurajojë përdorimin e drogës dhe do të rrezikojë të miturit, ndërsa një grup gjyqtarësh ka thënë se ka të ngjarë të rrisë dhe jo të ulë barrën e sistemit gjyqësor.
Ligjvënësit do të debatojnë projektligjin në kthimin e tyre nga pushimet verore më 4 shtator.