“Fundjava Kulturore Greke” ka sjellë në Gjirokastër një larmi aktivitesh, të cilat përfshinin promovimin e vlerave tradicionale dhe kulturore të Greqisë si dhe nxitjen dhe forcimin e bashkëpunimit kulturor midis dy vendeve.
Grupi i këngëve dhe valleve popullore “Loutsa” i Janinës, artistë të mirënjohur të muzikës greke, grupi i valleve të vajzave të Dropullit, grupi polifonik i Kolonjës, etj kanë performuar për artdashësit dhe turistët e huaj në mjediset e Pazarit karakteristik duke sjellë një fundjavë të veçantë në qytetin e gurtë.
“Kjo është një diplomaci kulturore dhe diplomacia kulturore është më e fortë sesa diplomacia politike, domethënë këto lidhjet kulturore bashkojnë, afrojnë njerëzit me njeri-tjetrin. Sepse kur ngrihemi në mëngjes përpara se të shikojmë diellin, shikojmë gjitonin, dhe ne me gjitonin duhet të kemi marrëdhënie të mira, duhet ti mbajmë afër, të vijnë grupe andej të shkojmë edhe ne aty. Në këtë mënyrë bëhet një lidhje , forcohen lidhjet miqësore midis vendeve tona aq më tepër që jemi në zona kufitare”, pohoi menaxheri artistik, Stefan Arseni
“Ndodhemi këtu që të prezantojmë një element të kulturës zonë, të Greqisë tradicionale. Besojmë se artdashësit do të na ndjekin me interes jo vetëm për vlerat artistike por edhe për lidhjen mes dy vendeve tona, aq më tepër për bashkëpunimin kulturor”, u shpreh një artist popullor i grupit të ardhur nga Janina.
“Vijmë nga Janina, unë jam valltare e shoqatës artistike “Loutsa” dhe është hera e dytë që jam në Gjirokastër. Është një qytet mjaft i veçantë dhe vlerësojmë shumë ndërtesat karakteristike. Për ne është diçka e bukur që ndodhemi këtu dhe do të kalojmë së bashku një mbrëmje të këndshme, me këngë dhe valle”, tha një valltare e grupit të Janinës
Në këto ditë vere aktivitete kulturore, përfshirë edhe ato me pjesëmarrjen e artistëve të huaj, po gjallërojnë qytetin e Gjirokastrës dhe tërheqin grupet turistike.