Google AI tregoi një sekret rreth një loje private që ekzistonte vetëm në një dokument privat në Google Drive


Një incident i pazakontë ka ngritur pikëpyetje të reja mbi mënyrën se si sistemet e inteligjencës artificiale të Google gjejnë dhe paraqesin informacion.

Zhvilluesi i pavarur Klub Kofta Studio, krijuesi i lojës Operation Octo, pretendon se AI i Google zbuloi emrin e një personazhi të pa publikuar, i cili sipas tij ekzistonte vetëm në një dokument privat të Google Docs.

Gjithçka nisi në serverin Discord të lojës, ku një lojtar po përdorte AI e Google për të bërë pyetje rreth Operation Octo. Pasi vuri re se përgjigjet ishin çuditërisht të detajuara, zhvilluesi i kërkoi lojtarit të pyeste për përmbajtje ende të pa publikuar. AI u përgjigj me emrin “Vantage Tripod”, një personazh që, sipas zhvilluesit, nuk ishte përmendur publikisht dhe nuk ndodhej as në kodin e lojës, skedarët e Steam apo materiale të tjera të aksesueshme.

Operation Octo u publikua në Steam në shtator 2025 dhe, për shkak të popullaritetit relativisht të kufizuar, zhvilluesi e konsideroi edhe më të çuditshme saktësinë e përgjigjes. Megjithatë, ai pranoi se rasti nuk mund të riprodhohet më. Pas publikimit të historisë në Reddit, AI nisi ta lidhte emrin “Vantage Tripod” pikërisht me atë postim, duke e bërë të pamundur të përcaktohej burimi fillestar i informacionit.

Nga ana tjetër, Google mohoi se modelet e tij Gemini trajnohen me materiale private të Google Ëorkspace, përfshirë Google Docs dhe Drive. Kompania theksoi se vetëm dokumentet e shpërndara publikisht mund të indeksohen nga motorët e kërkimit.

Edhe pse nuk ka prova që AI ka aksesuar dokumente private, rasti rikthen në vëmendje sfidën e transparencës së inteligjencës artificiale.



Burimi Geekroom.al