Google po punon për një veçori të re që mund ta kthejë kamerën e smartphone-it në një mjet për të vlerësuar shëndetin tuaj. E quajtur “PhotoScan”, teknologjia do të mundësonte që përdoruesi të fotografojë veten dhe, përmes inteligjencës artificiale, të marrë të dhëna mbi masën dhjamore dhe tregues të tjerë metabolikë.
Sipas kërkimeve të Google, sistemi është trajnuar duke përdorur imazhe të marra nga kamerat e smartphone-it dhe duke i krahasuar ato me skanime DXA/DEXA, një metodë që përdoret për matjen e densitetit kockor, yndyrës dhe masës muskulore.
Modeli i AI-së analizon imazhin së bashku me të dhëna të tjera të rëndësishme dhe, sipas kompanisë, ka arritur një përputhje të fortë me rezultatet e DXA për vlerësimin e masës dhjamore. Google pretendon gjithashtu se teknologjia po arrin saktësi pranë nivelit të DXA-së në parashikimin e rezistencës ndaj insulinës, një tregues i rëndësishëm i shëndetit metabolik.

Ideja synon të adresojë një kufizim të metodave aktuale. Skanimet DXA janë të sakta, por kërkojnë pajisje të specializuara dhe nuk janë lehtësisht të aksesueshme për përdorim të përditshëm. Ndërkohë, sensorët BIA që gjenden në disa peshore dhe pajisje inteligjente ofrojnë vetëm vlerësime bazë të përqindjes së yndyrës.
Google nuk ka dhënë ende një datë për lançimin e PhotoScan, ndaj mbetet e paqartë nëse dhe kur teknologjia do të mbërrijë te përdoruesit.
Ndërkohë, kompania ka integruar në Pixel Watch 5 veçorinë “Insulin Resistance Trends”, e cila analizon të dhëna fiziologjike të mbledhura gjatë disa javëve për të identifikuar ndryshime në shëndetin metabolik, pa pasur nevojë për analiza gjaku.
Nëse arrin në smartphone, PhotoScan mund ta bëjë monitorimin e disa treguesve të shëndetit shumë më të thjeshtë dhe të aksesueshëm.










