Google ka prezantuar një website të ri që u mundëson të gjithë përdoruesve të kontrollojnë nëse një imazh, video apo regjistrim audio është krijuar me inteligjencë artificiale. Shërbimi bazohet në teknologjinë SynthID dhe, pas një periudhe testimi me gazetarë, profesionistë të medias dhe studiues, tashmë është i disponueshëm për publikun e gjerë.
SynthID u prezantua nga Google në vitin 2023 për të identifikuar përmbajtjet e gjeneruara nga modelet e inteligjencës artificiale të kompanisë. Teknologjia vendos ëatermark dixhital në materialet e krijuara, të cilat mund të zbulohen përmes verifikimit, edhe kur përmbajtja modifikohet.

Faqja e re mbështet një gamë të gjerë formatesh, përfshirë JPG, PNG, WEBP dhe GIF për imazhet, MP4, MOV dhe WEBM për videot, si dhe MP3, WAV, FLAC dhe M4A për audion.
SynthID përdoret nga modelet Nano Banana, Veo dhe Lyria, si dhe nga produkte si Gemini, Flow, ProducerAI dhe Vids. Google ka integruar gjithashtu verifikimin në aplikacionin Gemini dhe shfletuesin Chrome. Sipas kompanisë, përdoruesit kryejnë aktualisht rreth një milion kërkesa verifikimi çdo ditë.
Google nuk është e vetmja kompani që po zhvillon teknologji për identifikimin e përmbajtjeve të krijuara nga AI. OpenAI, Nvidia dhe Kakao mbështesin SynthID, ndërsa OpenAI ofron edhe një faqe të veçantë për kontrollin e materialeve. Apple pritet të shtojë mbështetje në të ardhmen.
Megjithatë, këto sisteme nuk janë plotësisht të pagabueshme. Teknologjitë e ngjashme të Microsoft dhe Meta kanë standardet e tyre, por mjetet e verifikimit mund të dështojnë të identifikojnë përmbajtje të krijuara nga modelet e vetë kompanive.










