Google ka bërë të ditur se chatbot-i i saj kryesor i inteligjencës artificiale, Gemini, është vënë nën presion të madh nga persona të motivuar komercialisht, të cilët po përpiqen ta klonojnë përmes mijëra pyetjeve të përsëritura. Sipas një raporti të publikuar së fundmi, një fushatë e vetme e ka “pyetur” Gemini-n mbi 100 mijë herë, me synimin për të zbuluar logjikën dhe modelet e brendshme që e bëjnë atë të funksionojë.
Google e përshkruan këtë fenomen si “sulme distilimi” ose “nxjerrje modeli”, ku sulmuesit testojnë vazhdimisht sistemin për të kuptuar mënyrën se si ai arsyeton dhe përpunon informacionin. Kompania beson se pas këtyre sulmeve qëndrojnë kryesisht kompani private ose studiues që kërkojnë avantazh konkurrues për të ndërtuar ose përmirësuar modelet e tyre të AI-së. Sulmet, sipas Google, vijnë nga vende të ndryshme të botës.
John Hultquist, analisti kryesor i Google Threat Intelligence Group, paralajmëroi se këto raste janë vetëm fillimi dhe se sulme të ngjashme do të bëhen gjithnjë e më të zakonshme, sidomos ndaj kompanive më të vogla që zhvillojnë mjete të personalizuara AI. Ai theksoi se Google mund të sinjalizojë rreziqe që do të prekin gjithë industrinë.
Google i konsideron këto praktika si vjedhje të pronës intelektuale. Kompanitë teknologjike kanë investuar miliarda dollarë në zhvillimin e modeleve gjuhësore të mëdha dhe i shohin mekanizmat e tyre të brendshëm si pasuri tepër të vlefshme. Megjithatë, për shkak se këto modele janë të aksesueshme në internet, ato mbeten natyrshëm të cenueshme.
Raste të ngjashme janë raportuar edhe më parë. OpenAI, krijuesja e ChatGPT, ka akuzuar rivalin kinez DeepSeek për sulme distilimi. Ekspertët paralajmërojnë se, me rritjen e përdorimit të LLM-ve të trajnuara mbi të dhëna sensitive, rreziku i nxjerrjes së informacionit strategjik do të shtohet ndjeshëm.










