Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha sot se, “aktiviteti ekonomik ka shënuar një përmirësim gradual gjatë muajve të fundit”.
Në konferencën për shtyp, pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, Sejko theksoi se “përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se aktiviteti ekonomik do të vijë gradualisht drejt normalizimit gjatë dy viteve në vazhdim. Ky normalizim do të shoqërohet me rritje të punësimit, të pagave dhe të marxheve të fitimit të biznesit, çka do të krijojë premisa për kthimin e inflacionit në objektivin tonë prej 3 % brenda vitit 2022”.
“Mbi bazën e treguesve që kemi marrë në analizë bashkë me institucionet ndërkombëtare BB dhe FMN, pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë, janë që aktiviteti ekonomik do të vijojë të rritet gjatë dy viteve në vijim me 4.9 % këtë vit dhe 4.1 % vitin tjetër, ndonëse gjithçka është në varësi të ecurisë së situatës së pandemisë. Ku padyshim vaksinimi antikovid i popullatës është elementi kryesor që do të përshpejtojë përmirësimin e situatës së pandemisë dhe rigjallërimin ekonomik”, deklaroi Guvernatori.
Sipas tij, një nga elementët që priten paralelisht me vaksinimin dhe përmirësimin e situatës së pandemisë është edhe sezoni veror, që është një test, që do të na tregojë si do të vijë ringritja e ekonomisë, pasi turizmi është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare.
Sejko konfirmoi se informacioni i ri mbi aktivitetin ekonomik është përgjithësisht në linjë me pritshmërinë e institucionit që ai drejton.
“Rritja e vëllimit të shitjeve, rritja e konsumit të energjisë elektrike, ecuria më e mirë e të ardhurave fiskale, si dhe zgjerimi i eksportit dhe importeve, sinjalizojnë një ecuri më të mirë të ekonomisë. Nga ana tjetër ecuria e aktiviteti ekonomik në vend do të vijojë të mbështetet nga politika monetare akomoduese dhe nga stimuli fiskal”, tha Sejko.









