Hapet gara për unazën e re të Elbasanit

Trafiku i rënduar në unazën e Elbasanit pritet që të marrë zgjidhje së shpejti, me ndërtimin e një by passi të ri në pjesën lindore të qytetit. Autoriteti Rrugor njofton se ka hapur garën për të gjetur kompaninë që do të ndërtojë rrugën e re.

Unaza e Elbasanit është bërë një nga rrugët më problematike për fluksin e trafikut që krijohet aty. Rritja e volumit të makinave që i dejtohet Juglindjes ose kryeqytetit prodhon cdo ditë një varg të gjatë makinash që ngelen të tëra në zonën e Bradasheshit dhe në unazën lindore.

Për këtë arsye, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka propozuar hapjen e një rruge të re, e cila nis në pikën ku përfundon autostrada Tiranë-Elbasan dhe zgjatet deri në dalje të qytetit në segmentin Elbasan-Përrenjas.

Ideja është e hershme, por tashmë ARRSH njofton se është momenti për hapjen e garës që do të sjellë më pas edhe nisjen e punimeve. Sipas kërkesës fillestare, rruga është menduar që të ketë dy korsi kalimi me gjërsi 3.75 metra secila, një korsi emergjence, bankinë të asfaltuar dhe ishull trafiku.

“Bazuar në Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Elbasan, gjurma e ByPass-it të këtij qyteti është tashmë e përcaktuar. Zgjidhjet e propozuara në projekt-ide, në qoftë se është nevoja, edhe lëvizja e aksit të rrugës nga gjurma e parashikuar, duhet të konsultohet dhe miratohet në bashkëpunim me qeverisjen vendore, Bashkinë Elbasan”, thuhet në dokumentin e hartuar. Kujtojmë se gjatë ditëve të festave, trafiku i rënduar detyroi njerëzit të qendronin për më shumë se 4 orë të bllokuar në unazën aktuale.