Agjencia për Eficiencën e Energjisë do të nisë instalimin e karikuesve për makinat elektrike, në disa qytete turstike e pika kufitare. Ky dikaster ka hapur një tender me vlerë 83.3 mln lekë, ndërsa parashikon pajisjen me infrastrukturën e domosdoshme për këtë kategori automjetesh në qytetet e Sarandës, Vlorës, Korçës, Durrsit dhe Elbasanit. Po ashtu, parashikohet instalimi i tyre në pikat kufitare të Hanit të Hotit, Kakavijës, Durrësit dhe Vlorës.
Në dokumentet e tenderit specifikohet se një nga objektivët kryesorë është reduktimi i shkarkimeve të CO2 si dhe ndikimet në mjedis. Kjo, duke marrë në konsideratë se sektori i transportit është edhe ndotësi më i madh dhe burimi i prodhimit të gazrave me efekt serë. Gjithashtu, ky sektor është konsumatori më i madh në Shqipëri për konsumin e energjisë krahasuar me kërkesën totale finale për energji, duke shkuar në 40.5% të saj.
Ndërkohë që, mbështetur në Planin Kombëtar të Veprimit për Energjinë dhe Klimën në lidhje me sektorin e transportit vendi ynë ka si detyrim uljen e konsumit të karburanteve fosile si dhe ndotjes së ambjentit që vjen prej tij. Për këtë qëllim objektivi i qeverisë shqiptare është instalimi i 200 deri 300 stacione karikimi deri në vitin 2025 në të gjithë vendin.
Në dokumentet e tenderit theksohet se AEE është në kërkim të fondeve të nevojshme për realizimin e investimeve në këtë sektor për të arritur dhe objektivat kombëtarë lidhur me reduktimin e shkarkimeve të drejtëpërdrejta e të tërthorta të CO2, si dhe ndikimet në mjedis, kundrejt institucioneve të Bashkimit Europian, si anëtare nënshkruese e traktatit së energjisë.