Hapet tenderi për zgjerimin e qytetit të Lezhës dhe Shëngjinit

Agjentët e konstruksionit të GELDTrade bëjnë me dije seBashkia Lezhë ka shpallur një tender me fond 10.3 milionë lekë, për studim – projektim dhe plane të detajuara vendore.

Konkretisht, bëhet fjalë për zgjerimin e qytetit të Lezhës në pjesën jugore dhe perëndimore. Nga ana tjetër, për qytetin e Shëngjinit, parashikohet zgjerimi në veri dhe në jug. Shërbimi i studim- projektimit vjen si vijimësi e Planit të Përgjithshëm Vendor të vitit 2017 të Bashkisë së Lezhës. PPV, referuar dokumentacionit bashkangjitur tenderit, është bazuar në gjendjen ekzistuese të stokut të banesave, parashikimeve të ecurisë demografike, si dhe kërkesave turistike për territorin.

“Për t’iu përgjigjur nevojave aktuale të qytetit si dhe kërkesave në rritje të pushuesve në zonat bregdetare për struktura shërbimi dhe akomodimi, Bashkia ka marrë nismën për zhvillimin e 3 makro-zonave që do të mundësojnë rritjen e kapaciteteve të dy qendrave më të rëndësishme të territorit” specifikohet në tenderin e shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik.

Në këto zona, siç tenderi shpjegon, parashikohet zgjerimi i qyteti me lagje të reja banimi, apo zona turistike të shoqëruara me shërbimet e nevojshme, si dhe me hapësirat publike. Tenderi i shpallur në APP do të qëndrojë i hapur deri më 15 shkurt dhe ka një afat kohor për ekzekutim prej 1 muaji e gjysmë, që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues.

GELDTrade.al