Hapet zyrtarisht gara për aeroportin e Sarandës – Kontrata e PPP-së, 35-vjeçare, ja sa do të jetë vlera e parashikuar e investimit

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur zyrtarisht garën e partneritetit publik-privat për ndërtimin e aeroportit të Sarandës, ndërkohë që sipas procedurës së publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, kompanitë e interesuara do të mund të dorëzojnë ofertat e tyre deri në datën 23 shtator. Sipas dokumenteve, kontrata do të ketë një kohëzgjatje 35-vjeçare, ndërkohë që vlera e parashikuar e investimit është 34.32 mln euro.

Ky investim do të kryhet nga kompania që do të shpallet fituese në garë, ndërkohë që pas projektimit, ndërtimit, operimit dhe mirëmbajtjes, në përfundim të periudhës 35-vjeçare do të bëhet transferimi i veprës aeroportule pranë organeve shtetërore. Ndërkaq, në kërkesat specifike, theksohet se koncesionari do të sigurojë që Terminali, pas fillimit të operacioneve dhe para fillimit të zgjerimit të tij, duhet te akomodoje jo me pak se 130 000 pasagjerë në vit.

Sipas dokumenteve të tenderit, me vënien në punë të Aeroportit të Sarandës, pritshmëria është që ai të ketë një ndikim të konsiderueshëm ekonomik, social dhe kulturor, në zhvillimin e kësaj zone, duke bërë të mundur hapjen e vendeve të reja të punës, zhvillimin e turizmit, ofrimin e shërbimeve ajrore për transportuesit me kosto të ulët, çka do të sjellë dhe uljen e tarifave të biletave për udhëtime ndërkombëtare për qytetarët.

Hapja e garës u njoftua pak ditë më parë edhe nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila deklaroi se shteti shqiptar, nuk do të ketë asnjë përfshirje në këtë projekt dhe nuk do të ofrojë asnjë garanci financiare për kompensimin e numrit të pasagjerëve apo forma të tjera. Po ashtu, ajo shtoi se aeroporti i Sarandës do të  ketë kryesisht profilin e një aeroporti turistik, që funksionojnë zakonisht 7-8 muaj në vit, por ai mund të shërbejë edhe përtej sezonit për fluturime të brendshme.