Hekurudha Vorë-Hani i Hotit – Rehabilitimi nis në 2024

Punimet për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit pritet të nisin vitin që vjen, teksa qeveria ka akorduar një buxhet fillestar për zbatimin e projektit. Sipas projektbuxhetit 2024 kosto totale e projektit përllogaritet në 39.25 mld lekë, teksa financimi për vitin që vjen arrin në 340 mln lekë, nga të cilat 170 mln lekë janë grant.

Struktura e financimit për këtë projekt përbeht nga një grant I akorduar nga Bashkimi Evropian përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe një kredie që ndahet midis Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Evropiane të Investimeve.

Linja hekurudhore Vorë – Hani i Hotit ka një gjatësi prej rreth 120 km dhe përshkon Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë, me drejtim nga jugu në veri. Ajo lidh qytetet e Vorës, Mamurrasit, Laçit, Milotit, Lezhës, Shkodrës dhe Koplikut, ndërsa kalon kufirin shtetëror Shqipëri/Mal i Zi në Hanin e Hotit.

Sipas dokumentit të projektit të zbatimit, nevoja për rehabilimin e saj ësht e madhe, pasi infrastruktura e trasesë është përkeqësuar për shkak të mungesës së mirëmbajtjes, teksa shpejtësia maksimale e lëvizjes së trenave është rreth 40 km/orë, dhe në pjesë të caktuara është më e ulët se 20 km/orë.

Po ashtu, sistemi i sinjalizimit është pothuajse inekzistent. Si rezultat, nuk ka një sistem të kontrolluar sigurie për lëvizjen e trenave, e për pasojë rreziku i aksidenteve është i lartë. Ndërkaq, projekti i hartuar për rehabilitimin e kësaj linje hekurudhore do mundësojë lëvizjen e trenave me shpejtësi 120 km/orë.