Hoteleve i mungojnë 900 mijë netë qëndrimi në tre muaj. Dështon “pusho shqip”, rezidentët “lanë në baltë” turizmin në verë

Agjentët e GELDTrade të turizmit na informojnë se të dhënat më të fundit nga Instituti i Statistikave për strukturat akomoduese gjatë tremujorit të tretë të vitit janë treguesi më i mirë i sezonit veror të këtij viti. Shifrat flasin qartë për situatën reale. Rënia është thuajse në çdo indikator, dhe e dhëna më e shqetësuese tregon se puna nëpër hotele dhe struktura të ngjashme akomoduese, thuajse është përgjysmuar. Gjatë tremujorit të tretë të vitit, numri i netëve qëndrimi nëpër hotele mezi i ka kaluar 1 milionë të tilla nëpër hotele dhe strukutura të ngjashme, thotë INSTAT, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të një viti më parë, kjo shifër ishte në rreth 2 milionë. Kemi të bëjmë me një rënie prej 45%, ose rreth 892 mijë netë qëndrimi që i mungojnë sektorit akomodues krahasuar me një vit më parë, në vetëm tre muaj, si pasojë e pandemisë, e që përkthehen në dhjetra miliona euro humbje të drejtpëdrejta për ta dhe për ekonominë në tërësi.

Madje, po të shohim shifrat, vëmë re gjithashtu se, nuk ka ndodhur as ajo që pritej, pra që vizitorët vendas të mbushnin disi boshllëkun e vizitorëve nga jashtë, duke qenë se vendasit, si pasojë e pandemisë, ishin të “detyruar” të kryenin pushimet e tyre brenda territorit të vendit. Numri i netëve të qëndrimit nëpër hotele apo struktura të ngjashme nga vizitorët vendas gjatë tremujorit të tretë të vitit ka rënë nga 488 mijë, në 429 mijë, pra me rreth 12%. Shifrat sinjalizojnë se, turizmi shqiptar këtë vit nuk është ndihmuar dot nga vendasit, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve, në kushte jo-pandemie, do të zgjidhnin destinacione jashtë kufijve të Shqipërisë për të kaluar pushimet e tyre verore. Pra janë rreth 60 mijë netë qëndrimi që mungojnë në apel krahasuar me një vit më parë nga qytetarët rezident. Shifrat mund të sinjalizojnë gjithashtu se rënia e të ardhurave, pasiguria dhe rritja e papunësisë si pasojë e pandemisë kanë bërë që shqiptarët të hezitojnë të pushojnë, siç do të bënin në kushte normale. Një tjetër shpjegim mund të jetë ai se, shqiptarët kanë “refuzuar” të “pushojnë shqip”. Nga jo-rezidentët, rënia është edhe më drastike, në masën 58%, nga 1.45 milionë netë qëndrimi, në vetëm 609 mijë. Por, për të huajt, kjo rënie pritej, duke qenë se rregullat anti-covid për transportin ndërkombëtar e vështirësuan shumë ardhjen e vizitorëve nga jashtë. Sipas INSTAT, rezident klasifikohet ai person që ka banuar në Shqipëri për 12 muaj radhazi.

Por, jo e njëjta gjë vlen për bregdetin dhe për jugun e vendit. Nga të dhënat vëmë re, se rajoni i jugut, dhe zonat bregdetare kanë regjistruar një rritje të lehtë të netëve të qëndrimit nëpër hotele dhe struktura të ngjashme nga rezidentët, krahasuar me veriun dhe qendrën apo zonat jo-bregdetare, tregojnë të dhënat e publikuara së fundmi nga INSTAT (Durrësi klasifikohet në rajonin e veriut).

Një tjetër indikator që tregon se sektori i turizmit, sidomos segmenti i akomodimit ka pësuar një goditje të madhe gjatë pandemisë, të cilën nuk e ka zhbërë dot as sezoni veror, përkundrazi, është edhe ai i normës së shfrytëzimit të shtretërve, apo dhomave nga këto struktura. Në tremujorin e tretë të vitit, kjo normë nuk i kalonte 20%, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të një viti më parë të dyja normat, si ajo e shfrytëzimit të shtretërve, edhe ajo e dhomave, ngjitej mes 40-45%.

Po të shohim tortën e vizitorëve, bie në sy se 55.8% kanë qenë jo-rezident, dhe pjesa më e madhe nga Kosova, ndjekur nga Maqedonia e Veriut, Polonia, Italia dhe Bjellorusia.

GELDTrade.al