Hovi i teknologjisë së informacionit, pritet transformim dixhital i kompanive shqiptare

Teknologjia e informacionit kishte nisur rritjen vitet e fundit, ndërsa pandemia i dha një tjetër hov sektorit.

Sipas të dhënave të marra nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, konstatohet një rritje e numrit të kompanive të regjistruara në sektorin e TIK me 46% nga viti 2018 në 2019, duke sjellë një rritje prej 12% të aktivitetit ekonomik dhe 23% në numrin e të punësuarve.

Kjo e bën sektorin e IT në Shqipëri, si tendencë globale tashmë, një ndër sektorët që pritet të ketë ecurinë më të mirë në vitet e ardhshme. Ndikimi për këtë ka ardhur nga dixhitalizimi në masë të gjerë, si dhe nevojat specifike që Pandemia solli, ndër të cilat edhe konceptin e ri të Smart working.