Ibrahimaj prezanton ligjin e ri për PPP-të: Më shumë transparencë, integritet dhe kontroll


Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot në Kuvend projektligjin e ri “Për koncesionet dhe partneritetin publik-privat”, i cili synon të krijojë një kornizë të modernizuar dhe të harmonizuar me standardet e Bashkimit Europian për bashkëpunimin mes shtetit dhe sektorit privat në ofrimin e shërbimeve publike. Ajo deklaroi se projektligji është hartuar me mbështetjen e SIGMA/OECD, është konsultuar gjerësisht me institucionet dhe grupet e interesit dhe ka kaluar për diskutim të detajuar me Komisionin Europian, duke reflektuar të gjitha komentet e tij në draftin final.

Ibrahimaj theksoi se partneritetet publik-privat përbëjnë një instrument të rëndësishëm global për realizimin e projekteve publike dhe mund të sjellin vlera të mëdha për qytetarët, veçanërisht kur shoqërohen me transparencë të plotë dhe kontroll të fortë. Ajo bëri të ditur se vetëm gjatë vitit 2024 në Shqipëri ka pasur 233 kontrata PPP në sektorët e infrastrukturës dhe energjisë, të cilat përbëjnë 27% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa 11 prej tyre janë mbështetur me fonde buxhetore.

Sipas saj, projektligji sjell një sërë rishikimesh të rëndësishme, duke përfshirë lidhjen e detyrueshme mes PPP-ve dhe investimeve strategjike, vendosjen e standardeve dhe kritereve të qarta për çdo projekt, përfshirjen e njësive të vetëqeverisjes vendore në iniciativat PPP, funksionalizimin e Regjistrit Elektronik të Koncesioneve dhe forcimin e kontrollit fiskal dhe të mekanizmave të integritetit e antikorrupsionit. Ajo nënvizoi gjithashtu se projektligji parashikon krijimin e Njësive të Zbatimit të Kontratave pranë çdo autoriteti kontraktues, të cilat do të kenë rol kyç në monitorimin e kontratave, vlerësimin e performancës së operatorëve dhe raportimin periodik.

Ibrahimaj u shpreh se kjo nismë ligjore synon të ndërtojë një kuadër të qëndrueshëm dhe konkurrues për tërheqjen e investimeve private në sektorë strategjikë si infrastruktura, energjia, mjedisi, turizmi, shëndetësia dhe arsimi, duke kontribuar njëkohësisht në konsolidimin fiskal dhe përmirësimin e klimës së biznesit në vend.



Burimi Monitor.al