IFA 2026: Motorola prezanton Motorola Edge 70 Plus, Moto Watch Ultra dhe Moto Snap Wireless Charger


IFA 2026, ku Geek Room dhe Neptun ishin të pranishëm për të sjellë pranë ndjekësve inovacionet më të fundit nga bota e teknologjisë, Motorola ka sjellë një treshe produktesh që synojnë të krijojnë një ekosistem më të lidhur, duke kombinuar dizajnin premium, inteligjencën artificiale dhe funksionalitetin e përditshëm. Në stendën e kompanisë, vëmendjen e tërhiqnin veçanërisht Motorola Edge 70 Plus, Moto Watch Ultra dhe Moto Snap Wireless Charger.

Motorola Edge 70 plus

Në qendër të prezantimit ishte Motorola Edge 70 plus, një smartphone që e vendos kamerën dhe dizajnin në fokus. Pajisja vjen me një sistem kamerash të kryesuar nga sensori kryesor 200MP, rezolucioni më i lartë i përdorur deri tani nga Motorola në një sistem kamerash. Kamera mbështet OIS, 10x Super Zoom dhe regjistrim video 4K, ndërsa funksionet e bazuara në AI, përfshirë Photo Enhancement Engine, synojnë të përmirësojnë automatikisht rezultatet pa pasur nevojë për shumë ndërhyrje manuale.

Përpara ndodhet një kamerë 32MP, e cila kalon automatikisht në Group Mode kur telefoni kthehet horizontalisht. Motorola ka vendosur gjithashtu një ekran 6.78-inç Extreme AMOLED, me frekuencë rifreskimi 144Hz, Dolby Atmos dhe altoparlantë stereo. Në brendësi punon Snapdragon 7s Gen 3, i shoqëruar me 8GB RAM dhe deri në 256GB hapësirë.

Një tjetër pikë interesante është bateria 6500mAh, me karikim 45W TurboPower dhe Bypass Charging për lojërat.

Moto Watch Ultra

Nëse Edge 70 plus synon krijimtarinë, Moto Watch Ultra fokusohet te mirëqenia dhe aktiviteti fizik. Motorola ka bashkëpunuar sërish me Polar për të sjellë një seri funksionesh të avancuara për monitorimin e gjumit, stresit, aktivitetit dhe rikuperimit.

Ora përfshin Polar Serene, Nightly Recharge dhe Sleep Plus Stages, ndërsa përdoruesit mund të përfitojnë edhe nga Activity Score, Smart Calories, Active Intensity Zones dhe Running Coach. Një nga risitë më të rëndësishme është lidhja LTE, e cila e bën këtë model moto watch të parin të Motorola-s me këtë funksionalitet. Kjo do të thotë se përdoruesit mund të kryejnë telefonata, të marrin mesazhe dhe të menaxhojnë njoftimet pa pasur domosdoshmërisht telefonin pranë.

Ekrani 1.5-inç OLED arrin deri në 2700 nits, ndërsa trupi 46mm është prej çeliku inox. Ora mbështet Wear OS, Google Maps, Google Wallet dhe Gemini, ndërsa është edhe pajisja e parë wearable e Motorola-s me Motorola Qira të integruar. IP68, 5ATM dhe Gorilla Glass 3 plotësojnë paketën e qëndrueshmërisë. Bateria premton deri në dy ditë përdorim aktiv ose deri në 24 orë pas vetëm 15 minutash karikim.

Moto Snap Wireless Charger

Produkti i tretë është më modest në përmasa, por praktik për ekosistemin e ri. Moto Snap Wireless Charger ofron deri në 25W karikim wireless për pajisjet kompatibile Qi2.2, ndërsa pajisjet e mbështetura Motorola mund të arrijnë deri në 30W përmes protokollit të kompanisë.

Karikuesi përdor lidhje magnetike për pozicionim më të saktë dhe është projektuar për karikim më efikas dhe më të freskët. Ai përfshin mbrojtje nga mbinxehja dhe mbikarikimi, nuk konsumon energji në standby dhe vjen me kabllo USB-C 1.5 metra. Mbështetja për kasat magnetike e bën përdorimin edhe më praktik.



Burimi Geekroom.al