Igli Tare emërohet zyrtarisht drejtori i ri sportiv i Milanit

Igli Tare është emëruar drejtori i ri sportiv i Milanit. Sipas asaj që raporton redaksia e “Tuttomercatoweb”, drejtuesi shqiptar ka nënshkruar zyrtarisht kontratën e tij të re me klubin kuqezi, duke i dhënë fund pritjes së emërimit, që ishte pezull prej disa javësh.

Tare ka firmosur një marrëveshje 2-vjeçare, me opsion për një sezon të tretë, ndërsa paga e tij do të jetë 800 mijë euro në vit.

Kjo është një lëvizje e rëndësishme në nivel drejtues për Milanin, që tashmë synon rilindjen e projektit sportiv për sezonin e ardhshëm. Një sezon ku, sipas pritshmërive të pronësisë dhe tifozëve, do të kërkohet kthimi në majat e futbollit italian dhe europian.

Zyrtarizimi nga klubi kuqezi pritet në orët në vijim, çka do t’i hapë rrugë menjëherë fazës tjetër të nxehtë: zgjedhjes së trajnerit të ri.

Në një intervistë të pak ditëve më parë, vetë Igli Tare, i pyetur mbi mundësinë për të punuar te Milani, ishte shprehur me emocion: “Milani është një objektiv për këdo. Të punosh për një klub historik dhe të lavdishëm si ky do të ishte nder. Kam kërkuar gjithmonë ta përfaqësoj vendin tim, ndërsa njëkohësisht të jem shembull për shumë italianë. Jam gjysmë italian, punoj këtu që prej gjysmës së jetës sime, kam pasaportë italiane dhe e mbaj me krenari. Ju jam shumë mirënjohës”.

Me përvojën e tij të gjatë te Lazio dhe njohjen e thellë të tregut italian dhe ndërkombëtar të futbollit, Tare pritet të luajë një rol kyç në rindërtimin e Milanit, duke filluar me përzgjedhjen e trajnerit të ri dhe më pas me strategjinë në merkato.