Inflacioni bazë e mbylli në rënie vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për muajin dhjetor inflacioni vjetor bazë zbriti në 3.2%, nga 3.39% që kishte qenë për nëntorin dhe 8.42% që kishte qenë në fund të vitit 2022.
Inflacioni bazë ka pësuar rënie për të dhjetin muaj radhazi dhe ka prekur nivelin më të ulët që prej muajit shkurt të vitit 2022.
Inflacioni bazë është një tregues që llogaritet nga Banka e Shqipërisë mbi 69.2% të shportës së përgjithshme të Indeksit të Çmimeve të Konsumit. Ky tregues mat ndryshimin e çmimeve të konsumit, duke përjashtuar ato produkte që për nga natyra e tyre kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike.
Qëllimi i inflacionit bazë është ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga efektet e goditjeve të ofertës apo nga faktorë të tjerë me ndikim afatshkurtër.
Rënia e qëndrueshme e inflacionit bazë gjatë vitit 2023 mund të interpretohet si një sinjal inkurajues për uljen e qëndrueshme të inflacionit mesatar pranë objektivit prej 3% të Bankës së Shqipërisë.
Por, ndërkohë që inflacioni bazë ka vijuar rënien, inflacioni i llogaritur për gjithë shportën e mallrave të konsumit në tremujorin e tretë të vitit të kaluar u shfaq më rezistent dhe e mbylli vitin 2023 në nivelin 4%. Kjo tregon se komponentët më të luhatshëm të inflacionit, si ushqimet dhe karburantet, kanë vazhduar të ushtrojnë presione inflacioniste.
Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni të kthehet pranë objektivit prej 3% në gjysmën e dytë të vitit 2024, por analistë të tjerë janë më pak optimistë. Projeksionet e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Raiffeisen Research e vendosin kthimin e inflacionit në objektiv vetëm në vitin 2025, duke theksuar se kjo do të kërkojë një rritje të mëtejshme të normave të interesit nga Banka e Shqipërisë.
Rënia e komponentit më të qëndrueshëm të inflacionit mund të jetë tregues që mbështet linjën pak më optimiste të parashikimit të Bankës së Shqipërisë, por sidoqoftë perspektiva e një rritjeje të mëtejshme të normave të interesit ngelet ende si skenari më mundshëm në rastin e Lekut. Banka e Shqipërisë po mban një nivel të normës bazë ndër më të ulëtit në Europë, në nivelin 3.25%, ndërsa norma neutrale e interesit vlerësohet pranë nivelit të 4.5%.
Një nivel i tillë mund të shpjegohet me disa faktorë, si subvencionimi i çmimeve të energjisë elektrike, forcimi i Lekut në kursin e këmbimit si edhe politika fiskale relatvisht shtrënguese që ka ndjekur qeveria shqiptare. Këta faktorë kanë përthithur një pjesë të mirë të presioneve të forta inflacioniste të dy viteve të fundit. Megjithatë, fakti ngelet që në muajt e fundit rënia e inflacionit ka ngecur pranë kufirit të 4%, normë kjo ndjeshëm më e lartë se mesatarja e Eurozonës./Monitor