INSTAT/ Paga mesatare mujore u rrit me 3.5%

Paga mesatare mujore në Shqipëri në vitin 2019 llogaritet 52.382 lekë me një rritje prej 3.5% krahasuar me vitin paraardhës.

Referuar të dhënave të INSTAT-t në publikimin “Vjetari rajonal statistikor”, qarku i Tiranës ka pagën mesatare mujore më të lartë, 59.316 lekë, ndërsa qarqet Lezhë dhe Shkodër kanë pagën më të ulët, afërsisht 41.351 lekë dhe 41.571 lekë.

Krahasuar me mesataren mujore në nivel kombëtar, qarku i Tiranës ka pagën mesatare mujore më të lartë me 13,2%, ndërsa qarku i Lezhës ka pagën më të ulët 21,1 %

Studimet mbi pagën mesatare mujore bruto tregojnë se veprimtaritë financiare dhe të sigurimit kanë paga më të larta se sektorët e tjerë. Ky sektor ka pagat më të larta në qarkun e Tiranës dhe më të ulëta në qarkun e Dibrës.

Referuar të dhënave sipas gjinisë, gjatë vitit 2019, meshkujt kanë pagën më të lartë në qarkun e Tiranës, 62.620 lekë dhe më të ulët në qarkun e Lezhës 41.395 lekë, po ashtu dhe femrat kanë pagën më të lartë në qarkun e Tiranës, 55.510 lekë dhe më të ulët në qarkun e Lezhës 41.300 lekë. Në qarkun e Fierit, meshkujt paguhen më shumë se femrat me rreth 17.8%, ndërsa në qarkun e Elbasanit meshkujt paguhen më pak se femrat me 3.7%.

Krahasuar me vitin 2018, paga mesatare mujore bruto gjatë vitit 2019 u rrit me 3.5%. Qarku i Shkodrës ka rritjen më të madhe të pagave me 5.4%, ndërsa qarku i Vlorës ka rritjen më të vogël me 2.4%

Pagat më të ulëta janë në sektorin e bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit. Në këtë sektor pagat më të ulëta janë në qarkun Tiranë dhe më të larta në qarkun Shkodër,

Statistikat e tregut të punës mbi pagat, janë të bazuara në informacionin e të dhënave administrative nga të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, kontribuesit në Sigurime Shoqërore.

GELDTrade.al