Apple mund të jetë pranë një ndryshimi të rëndësishëm në zinxhirin e furnizimit për çipat e saj, duke i dhënë fund një bashkëpunimi gati dhjetëvjeçar ekskluziv me TSMC. Që prej vitit 2016, TSMC ka qenë prodhuesi i vetëm i çipave Apple Silicon, por kjo situatë mund të ndryshojë në vitet e ardhshme.
Sipas analistit të njohur të zinxhirit të furnizimit të Apple, Ming-Chi Kuo, Intel ka nisur testime në shkallë të vogël për prodhimin e çipave të nivelit më të ulët për iPhone, iPad dheMac. Prodhimi pritet të rritet gradualisht gjatë viteve 2027 dhe 2028, megjithëse nuk është saktësuar se cilët çipa të serive A apo M do të prodhohen nga Intel.
Apple po përdor procesin e avancuar 18A të Intel për këto testime dhe po vlerëson edhe teknologji të tjera të prodhimit të kompanisë amerikane. Megjithatë, Kuo thekson se TSMC do të mbetet përgjegjëse për mbi 90% të furnizimit total të çipave të Apple, çka tregon se Intel do të ketë një rol plotësues dhe jo dominues.
Për Apple, furnizimi nga dy prodhues të ndryshëm do të thotë më shumë fleksibilitet, mundësi për të negociuar kosto më të ulëta dhe një zinxhir furnizimi më të qëndrueshëm. Një rikthim i bashkëpunimit me Intel do të kishte edhe dimension politik, pasi prodhimi i çipave në SHBA mund ta vendosë Apple në një pozicion më të favorshëm përballë administratës së Donald Trump, e cila ka shtyrë fort për rritjen e prodhimit vendas.
Është e rëndësishme të theksohet se Intel nuk do të marrë pjesë në dizenjimin e çipave. Bëhet fjalë për çipa të dizenjuar plotësisht nga Apple, por të prodhuar nga Intel në SHBA, ndryshe nga epoka e “Intel Macs”, kur Apple përdorte procesorë x86 të dizajnuar nga vetë Intel. Apple nisi shkëputjen nga këta procesorë në vitin 2020.
Edhe pse rikthimi i Apple te Intel është raportuar nga disa burime, ende nuk ka një njoftim zyrtar nga kompania.










