Italy-Albania Innovation Twinning: Një kapitull i ri bashkëpunimi strategjik për ekosistemet e startupeve


Ekosistemi i startupeve shqiptare po përjeton një moment vërtet të veçantë, i shënuar së fundmi nga një qasje e hapur dhe një bashkëpunim i paprecedentë me ekosisteme të ndryshme, tani edhe atë italian. Kjo nismë thekson më së miri marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy shteteve, jo vetëm në rrafshin zyrtar, por edhe atë kulturor e novator. Eventi “Italy-Albania Innovation Twinning”, i cili u zhvillua në ambientet e Vila 31 në Tiranë, bëri bashkë njerëz dhe profesionistë nga të dy ekosistemet. 

I organizuar nga ITA dhe Ambasada Italiane në Shqipëri, takimi u hap me fjalën e mirëseardhjes nga Matteo Picariello, Drejtori i ICE, ITA Tiranë. Ai theksoi se ky është momenti ideal për të tërhequr vëmendjen e investitorëve italianë drejt startupeve shqiptare, si dhe për të nxitur startupet italiane të bashkëpunojnë më ngushtë me ato vendase.

Shpejtësia si thelbi i Inovacionit

Nga ana tjetër, Marco Alberti, Ambasadori i Italisë në Shqipëri, tregoi se startupet nuk shërbejnë vetëm për inovacion të thjeshtë, por janë mjetet kryesore për të transformuar idetë në zgjidhje reale me shpejtësi. Ai vuri në dukje se mbështetja e ekosistemit është thelbësore për të ulur frikën nga dështimi tek sipërmarrësit, duke theksuar se një partneritet mes Tiranës dhe Milanos ka një potencial të jashtëzakonshëm për të krijuar praktika të reja zhvillimi.

Financimi dhe rritja e përbashkët

Mbrëmja vazhdoi më tej me dy panele tejet të veçanta mbi Financimin e Inovacionit dhe Bashkëpunimin për Rritje. Këto diskutime sollën qasje shumë praktike nga ekspertë të lartë të botës së kapitalit sipërmarrës, qendrave të inovacionit bankar dhe rrjeteve të investitorëve. Përmes përvojës së panelistëve, u trajtua rëndësia e ndarjes së burimeve për të rritur suksesin e bizneseve.

Panelet theksuan se sigurimi i fondeve dhe krijimi i urave lidhëse mes korporatave dhe startupeve janë hapa thelbësorë për një ekonomi digjitale të qëndrueshme.

Një vëmendje të veçantë mori edhe një bisedë shumë e bukur dhe frymëzuese me dy themeluese, Paola Pina nga Nextinnovate dhe Rexhina Saraçi nga Refuel Solutions. Ato ndanë rrugëtimin e tyre në botën e sipërmarrjes, duke treguar nga afër sfidat dhe anën praktike të ndërtimit të një startup-i të suksesshëm.

Mbështetja shtetërore dhe hapat e ardhshëm

Eventi u përmbyll me fjalën e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila ftoi investitorët, partnerët dhe startupet italiane të bashkëpunojnë me ekosistemin tonë. Ajo i siguroi ata se mbështetja shtetërore ekziston dhe është shumë e fortë, duke theksuar se ekosistemi ynë tashmë ka treguar mjaftueshëm raste suksesi për të qenë i barabartë në një treg evropian e më gjerë.

Ky event dëshmoi se inovacioni nuk njeh kufij gjeografikë kur ekosistemet ndajnë të njëjtin vizion për të ardhmen. Përtej fjalimeve, kjo nismë ndezi një shkëndijë të vërtetë për të kthyer idetë e startupeve shqiptare në zgjidhje me impakt global. Tani është koha që ky potencial i jashtëzakonshëm të kthehet në investime e partneritete konkrete, duke i dhënë teknologjisë dhe themeluesëve tanë fuqinë për të garuar bindshëm në arenën ndërkombëtare. 



Burimi Geekroom.al