Ja destinacionet më të preferuara për turizmin dimëror në Shqipëri

Tashmë jemi në dimër dhe vendi ynë është shumë i përshtatshëm edhe për turizmin dimëror ose “Turizmin e Bardhë” sikundër quhet. Turizmi i bardhë zhvillohet në male dhe Shqipëria është shumë e pasur me to.
Turizmi malor duket se është shndërruar në një nga tendencat më të pëlqyera të shqiptarëve. Tashmë dëshira për të kaluar pushime nuk mbetet vetëm në sezonin veror. Dimri është një mundësi po aq bindëse për të kaluar bukur dhe ndryshe përmes udhëtimesh apo sporteve dimërore, peisazheve dhe natyrës së bukur. Në natyrën tonë ka disa vende që preferohen për pushimet dimërore. Destinacionet më perfekte për të provuar një aventurë të tillë, çmimet dhe alternativat që ato ofrojnë, mundësitë infrastrukturore që deri diku janë të përballueshme në mënyrë normale janë:

Voskopoja, e cila ndodhet shumë afër qytetit të Korçës, mbi një pllajë 1160 m mbi nivelin e detit. Karakteristikë e 1vendit është ajri i pastër dhe uji i freskët dhe kurativ. Gjatë dimrit mund të praktikohet sporti i skive. Natyra e qetë dhe e bardhë është arsyeja kryesore që tërheq qindra shqiptarë për të kaluar pushimet dimërore. Për disa vite rresht rajoni juglindor vazhdon të mbetet preferenca e shumë prej familjeve shqiptare të cilat zgjedhin të ftohtin dhe aventurat në borë për të kaluar festa ndryshe nga ato të zakonshmet, deri tek ato tradicionalet. Në Voskopojë ka disa hotele të cilësisë së lartë. Në skajin juglindor ka aventura nga më të ndryshme, duke filluar nga skitë dhe deri te shëtitjet në malet e mbuluara krejtësisht nga dëbora. Kuzhina tradicionale e me ushqime bio është një tjetër arsye që i nxit turistët të marrin sërish rrugën drejt Voskopojës. Gjatë dimrit në lokale gatimet më të preferuara mbeten ato tradicionalet si, mishi i pjekur, lakrori dhe turshitë. Pyjet, vendi i duhur edhe për të apasionuarit pas gjuetisë, janë një ndër arsyet që tërheqin turistët vendas dhe të huaj.

 

Razma, është një tjetër destinacion shumë i preferuar. Fshati i Razmës, rreth 40 km në veri të Shkodrës, është vendi ideal për të praktikuar alpinizmin dhe skitë. Fshati të ofron mundësi akomodimi në hotele dhe bujtina. Ka një klimë tipike malore, ajër shumë të pastër e me vlera kurative. Kullotat alpine, pyjet e ahut dhe të pishave janë karakteristike për zonën. Zona e Razmës ofron mundësi për zhvillimin e disa llojeve të turizmit, më i frekuentuar është ai i skive në morenat akullnajore, sidomos në fushën e Zezë e në fushën sportive të kampit të Razmës.

 

Lugina e Valbonës, pranë qytetit të Bajram Currit, është një destinacion shumë i vizituar. Shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinthe e të papritura dhe konsiderohet si mrekullia e Alpeve Shqiptare. Të bësh një udhëtim në dimër në luginën e Valbonës, është një mrekulli shpirtërore përsa u përket emocioneve që të ofrojnë peisazhet e saja. Në mbrëmjet e bujtinës, mitet e zonës do t’i kesh këmbëkryq pranë të zotit të shtëpisë. Ato janë të bukura dhe mbresëlënëse.

Vlerat shkencore, turistike dhe kurative janë të kombinuara me një bio-diversitet të rëndësisë kombëtare dhe ndërkombëtare. Të pasionuarit pas turizmit malor mund të bëjnë një udhëtim të mrekullueshëm në këtë sezon në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës qe të magjeps me pasurinë natyrore. Tashmë është shumë i vizituar jo vetëm nga të huajt, por edhe nga mjaft shqiptarë, të etur për aventurë dhe që duan të eksplorojnë bukurinë malore.