Edhe pse rritja e pagave ka hyrë në fuqi zyrtarisht më 1 Prill, tashmë janë zbardhur vendimet përkatëse të qeverisë, të cilat detajojnë formulën që do të ndiqet dhe se sa do të përfitojë çdo punonjës i administratës publike, institucioneve vendore, atyre kushtetuese, etj. Konkretisht, përpos shtesës fikse që do të jepet mbi bazën e pozicionit të punës, vendimi i qeverisë parashikon edhe një shtesë të dytë, të bazuar te vjetërsia në punë.
Duket se ka qenë pikërisht kjo pikë që ka vonuar aplikimin e vendimit për faktin se çdo institucion duhej të bënte të detajuar përllogaritjen për secilin punonjës të tij. Referuar vendimit, veç shtesës fikse të pagës, shtesa për vjetërsi në punë jepet në masën: 0.6% pas çdo viti pune për 10 vitet e para (1– 10 vite) dhe llogaritet mbi pagën e pozicionit; 0.8% pas çdo viti pune për 10 vitet e dyta (11–20 vite) dhe llogaritet mbi pagën e pozicionit; 1% pas çdo viti pune për 10 vitet e treta (21– 30 vite) dhe llogaritet mbi pagën e pozicionit.
Po ashtu, formula e rritjes së pagës parashikon edhe shtesë mbi kategorinë e arsimimit që disponon i punësuari si dhe shtesë për kushte pune e specifikuar si natyrë e veçantë pune dhe apo për kushte të vështira e të dëmshme për shëndetin.
Shtesat për natyrë të veçantë pune variojnë nga 5 mijë deri në 120 mijë lekë në muaj të cilat përcaktohen në bazë të pozicionit dhe institucionit, ku vlera më e lartë është në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Punonjësit pritet ta marrin shtesat e prapambetura në pagë brenda këtij muaji.