Kosovë/ Ja cfarë e shpëtoi Kosovën nga një krizë e thellë ekonomike

Një nga pyetjet habitëse që shtrohet sot në Kosovë, nga ekspertë të energjisë, por edhe nga ekonomistë është, se çfarë do të bënte Kosova sikur të mos e kishim pasur termocentralin Kosova në Obiliq, A-në dhe B-në.

Shtrenjtimi i rrymës, deri në dhjetëfishim në disa shtete, por në momente të caktuara edhe në tregun ndërkombëtar, krijuan një panik për mundësinë e mungesës së energjisë, e cila filloi të reduktohej në Kosovë, duke e ndërprerë në orare të caktuara në zona të ndryshme.

Vala e parë goditëse kaloi, jo pa vështirësi, pasi vendi u ballafaqua me një seri protestash në Prishtinë, ndërsa qeveria kishte marrë paraprakisht disa masa, për pagesën e një pjese të çmimit të energjisë.

Qeveria do të paguaj shuma të majme për shkak të shtrenjtimit të rrymës.

Kosova është me fat që ka termocentrale, dhe që gjatë verës nuk varen nga uji apo fenomene të tjera, dhe mund t’i mbulojë shpenzimet e vendit, pa import, përveç në raste të prishjes së rëndë. Por, ka kapacitete edhe për eksport gjatë verës, për shkak se bie dukshëm shpenzimi i rrymës.

Kosova një vend thuaja fare pa industri, shpenzimet gjatë dimrit gati dyfishohen për shkak të përdorimit të gjerë për ngrohje. Çmimet e favorshme deri vitin e kaluar nxitën rritjen e përdorimit në ngrohje në shtëpi, për shkak se shpenzimet ishin më të ulëta ose të afërta me shpenzimet për shembull, me ngrohje me dru.

Në ndërkohë vende si Anglia i kanë rikthyer sytë sërish kah termocentralet, deri në daljen nga kriza.

Kështu një termocentral që e planifikonte ta mbyllte në vitin 2024 Anglia, do ta përdorë në kapacitete të plota. Ai ndodhet në Ratcliffe-on-Soar, Nottingham, dhe prodhon 2110 Mw energji, që sipas të dhënave mbulon 2.5 milionë shtëpi nga 38 milionë sa janë në Angli.

“RoS posedon 8 oxhaqe me 6 linja hekurudhore që e lidhin plantacionin me burimet e thëngjillit si edhe eksportet e komoditeteve të tjera që nevojiten për të prodhuar energji. Plantacioni ka kapacitet të gjenerojë energji edhe për 3 milionë shtëpi dhe mbi 100k biznese”, shkruan ekonomisti Emanuel Bajra, i cili është një ekspert i njohur i tregjeve, ndërsa jeton dhe punon në Angli.

Pavarësisht që ky tymtar, është një nga ndotësit më të mëdhenj në Europë me CO2, i listuar si i 18-ti, ai nuk do të mbyllet sipas parashikimeve.

Ndërsa, Kosovës po vazhdojnë t’i nxirën probleme dhe t’i bëhen presione që të mos ndërtohet një termocentral i ri, i cili jo vetëm se do ta zgjidhte çështjen e furnizimit, por do të gjeneronte edhe të hyra të mëdha buxhetore.

Ndërkohë është duke lulëzuar edhe zhvillimi i energjisë së erës, energjisë solare, ndërsa e kemi një tendencë të lehtë për ndërtime hidrocentralesh, kryesisht me kapacitete të vogla, disa nga të cilët kanë shkaktuar dëme në rrjedha të ujit deri në tharje etj.

Kosova është një vend që ka fatin e madh të pasurisë së madhe energjetike, përkatësisht të qymyrit, dhe si rrjedhojë ka dy termocentrale, Kosovën A dhe B.

“Kosovë, kemi qenë me fat që vizionarët e viteve të ‘60-ta, inxhinierët, ekonomistët dhe disa politikanë të asaj gjenerate që ndërtuan Obiliqin dhe krijuan mundësinë për të pasur një pavarësi të furnizimit me energji – po të mos ishte Obiliqi, ‘neve as qentë nuk na kishin marrë erë’”, vlerëson Bajra.

Mungesa e energjisë vendore do të kishte ndikuar tejet rëndë në cilësinë e jetës në Kosovë, për shkak të rritjes së shpenzimeve për rrymë, por që do të kishte çuar edhe në rritje të çmimeve për shkak të ndikimit në ekonomi.