Tirana po përgatitet të mirëpresë JunctionX Tirana 2026, edicioni i katërt i hackathon-it që ka vendosur Shqipërinë në hartën ndërkombëtare të teknologjisë dhe startup-eve. Nga 19 deri më 21 qershor, dhjetëra ekipe do të bashkohen për 48 orë intensive, ku idetë kthehen në prototipe funksionale me potencial real ndikimi.
48 orë sfidë, bashkëpunim dhe zgjidhje reale
Hackathon-i është i hapur për zhvillues, dizenjues, sipërmarrës, studentë dhe çdo mendje krijuese që dëshiron të ndërtojë diçka që ka vlerë. Pjesëmarrësit mund të vijnë me ekip të formuar ose të krijojnë ekipin në ditën e parë të eventit, me maksimum 5 persona për skuadër.

Piramida e Tiranës shndërrohet në laborator inovacioni
Ngjarja do të zhvillohet në Piramidën e Tiranës, një simbol i transformimit urban dhe kreativ të qytetit. Për tre ditë me radhë, Piramida do të mbushet me kod, ide, mentorë dhe energji startup-i, duke reflektuar rritjen e shpejtë të ekosistemit teknologjik shqiptar.
Më shumë çmime, më shumë talente, më shumë ambicie globale
JunctionX Tirana 2026 vjen më i madh se kurrë, me pjesëmarrje ndërkombëtare dhe çmime të konsiderueshme:
- 5,000 € – Vendi i pare
- 3,000 € – Vendi i dytë
- 2,000 € – Vendi i tretë
TOP 3 fitojnë gjithashtu Golden Ticket për në Junction Helsinki, me fluturim dhe akomodim të mbuluar. Për fituesit nën 18 vjeç, sigurohet edhe shoqërues gjatë pjesëmarrjes në Finlandë.
Nga Tirana në Helsinki: një mundësi që shkon përtej garës
Pjesëmarrja është falas dhe përfshin ushqim, pije, swag, mentorim dhe networking me profesionistë të industrisë. Përtej çmimeve, JunctionX Tirana është një derë reale drejt skenës globale të inovacionit. Për më shumë informacion dhe aplikime: JunctionX Tirana Official Website










