Qytetarët tashmë mund të sigurojnë online kopje të vërtetuara të dokumenteve që ndodhen në dosjen e pronës së tyre, përmes platformës “e-Albania”, njofton Kadastra Shqiptare.
Shërbimi u mundëson qytetarëve të marrin kontrata, planimetri dhe dokumente të tjera tekniko-ligjore mbi të cilat bazohet regjistrimi i pasurisë së paluajtshme.
Për të përfituar dokumentacionin, qytetarët duhet të aplikojnë në platformën “e-Albania” për shërbimin “Kopje të vërtetuara të dokumenteve tekniko-ligjorë në të cilat bazohet regjistri i pasurive të paluajtshme – referencë regjistrimi”.
Sipas Kadastrës, për pasuritë që janë të digjitalizuara, dokumentet vihen në dispozicion menjëherë. Ndërsa për pasuritë që nuk janë ende të digjitalizuara, dokumentacioni përgatitet dhe bëhet i disponueshëm brenda pesë ditëve.
Institucioni thekson se shërbimi synon të lehtësojë aksesin e qytetarëve në dokumentacionin tekniko-ligjor të pronave, duke u mundësuar atyre marrjen e kopjeve të vërtetuara të dokumenteve të dosjes së pronës, sipas nevojës.










