Kalaja e Bashtovës, një perlë e fshehur në afërsi të Shkumbinit

E pozicionuar në afërsi të lumit Shkumbin vetëm 4 km larg nga deti Adriatik, Kalaja e Bashtovës është një perlë e fshehur në Shqipërinë qendrore, që pak njerëz, për momentin, kanë fatin për ta parë.

Kështu shkruan gazetarja italiane Francesca Masotti në blogun e saj “Letters from Balcan” duke i kushtuar një tjetër shkrim potencialeve turistike e kulturore të Shqipërisë si ftesë për turistët e huaj.

Fortesa, në fakt, nuk gjendet afër qytetit-muze të vendit, as përgjatë bregdetit të famshëm dhe për pasojë, ende është pothuajse e panjohur për turistët të cilët, të tërhequr nga destinacionet më të famshme, nuk dinë për ekzistencën e saj.

Shtojeni kësaj faktin se informacioni për Kështjellën është shumë i vogël : Bashtova është një nga thesaret më të mira të fshehura të Shqipërisë.

A keni qenë ndonjëherë vizitorët e vetëm në një vend arkeologjik dhe kulturor në Europë?
Mua, për momentin, më ka ndodhur vetëm në Shqipëri dhe gjithashtu në Bashtovë kam pasur këtë fat të madh. Por le të shkojmë në historinë e kësaj kalaje.

Sipas shkrimtarit dhe udhëtarit turk Evliya Çelebi, Kalaja u ndërtua nga Venedikët në shekullin e 15-të dhe më pas, pak më vonë, në vitin 1478, u pushtua nga osmanët. Roli i saj strategjik për kontrollin mbi Detin Adriatik dhe vendndodhja ideale pranë rrugës historike Via Egnatia, ka bërë të mundur që prej dy vjetësh Kalaja është përfshirë në listën paraprake të Unesco, lista e pritjes për t’u regjistruar në trashëgiminë botërore të njerëzimit.

Sot vetëm këto mure (nëntë metra të larta) dhe dy kulla (dymbëdhjetë metra të larta) mbeten nga kjo kala e shkëlqyer drejtkëndore, por sipas disa studimeve arkeologjike, në të kaluarën fortesa duhej të ishte në dy kate.

Ajo që e bën Bashtovën të veçantë në krahasim me kështjellat e tjera që mund të vizitohen në Shqipëri është fakti se ajo është e vetmja kështjellë e ndërtuar në një fushë dhe jo në majë të kodrave apo maleve.

Vendndodhja, në të vërtetë, në mes të fushave të kultivuara është thjesht spektakolare. Këshilla ime? Nxitoni ta vizitoni tani, para se të gjithë ta dinë.